Gjeneralët e shkarkuar:Dekretet e Presidentit kanë mospërputhje ligjore
Tre gjeneralët Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi, të shkarkuar pak ditë më parë nga presidenti Bujar Nishani e quajnë të paligjshëm dekretin për shkarkimin e tyre.Në një konferencë për shtyp, tre gjeneralët kanë theksuar se shkarkimi i tyre është i pashpjegueshëm dhe kanë kërkuar nga kreu i shtetit të citojë nenin ku është mbështetur.“Dekretet e Presidentit për lirimin nga detyra kanë mospërputhje ligjore dhe janë dërguar në rrugë postare. Presidenti ka injoruar ligjin pasi dekretet e tij janë publikuar me vonesë. Heshtja nuk i shërben askujt, ata që kanë bërë këtë të japin një shpjegim. I bëjmë thirrje presidentit të na citojë nenin ku është mbështetur për shkarkimin tonë” janë shprehur tre gjeneralët.Presidenti Bujar Nishani disa ditë më parë ka dekretuar lirimin nga detyra të tre gjeneralëve të lartë në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar në faqen e presidencës, te tre dekretet mbajnë datën 21 maj 2013."Në mbështetje të neneve përkatëse të Kushtetutës “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Presidenti dekretoi: Lirimin nga detyra të Gjeneral Brigade Sander Lleshit, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Abaz Lleshi Komandanti i Brigadës së Mbështetjes Rajonale si dhe Komandantit të Forcës Ajrore dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Dhori Spirollari” thuhej në dekretin e presidentit.