Berisha në Krujë: Rama bllokoi statusin, mashtron edhe për taksat
“Alternativa tjetër është akuza politike, mashtrime dhe trillime. Zoti Edi Rama me një akt më të papërgjegjshmin bllokoi statusin e vendit kandidat, a mundet një shqiptar tu bënte shqiptarëve këtë që u bëri Edi Rama 236 ditë. T’i shtrojmë pyetjen të nderuar socialistë të Krujës dhe gjithë Shqipërisë, cfarë ndodhi që i votove sot pas 236 ditësh? A nuk the se po i bllokoje për Fierin, çfarë do tu thuash qytetarëve të Fierit që spekulove me emrin e tyre për interesa personale? Alternativa tjetër është padije e thellë, del dhe thotë 95% e shqiptarëve pa taksa. Mund të imagjinoni ju një komb të lirë që mund të jetojë në kurriz të një 5% të qytetarëve të saj. Shoku beson se mund të mashtrojë qytetarët me moton “çfarë më duhet mua se çfarë them unë”, rritësi më i rrezikshëm i taksave mashtron se do ti heqë ato” deklaroi Berisha.Kryeministri nuk la pa ironizuar edhe rilindasit e Ramës.
“Ata le të rrinë në autobusin mavi, të shpifin, trillojnë, mashtrojnë, të përshpirten për etërit e tyre mizorë se ata nuk kthehen kurrë më. Të quash Koco Kokëdhimën, Fidelin, apo Tom Doshin rilindas të shqiptarëve është si të quash Zani Çaushin Skëndërbeun e tyre. Nga Kruja i bëj thirrje mos ofendo shqiptarët, rilindasit janë shenjtorë. Me Rilindje nënkupton rikthimin e neobllokmenëve, por e shkuara nuk kthehet kurrë” theksoi Kryeministri.
Duke iu referuar 8 viteve në pushtet, shefi i qeverisë bëri një rezyme të investimeve në në Krujë dhe mbarë vendin.

“Rruga jonë është e vështirë, por rrugë e suksesit dhe dinjitetit. Ndërtuam mbi 10 mijë km rrugë në të gjithë vendin. Ne duam që kudo aty ku jetojnë shqipëtarët të kenë infrastrukturë moderne, ujësjellësa, shkolla, sipitale, kanalizime, shërbimet më cilësore. Në këto vite, ndër më të vështirat për rajonin dhe më gjerë, ekonomia e Krujës u rrit, u dyfishuan bizneset dhe të punësuarit. Ndërtuam qindra e qindra shkolla, katërfishuam studentët në universitete, mbështetëm fermerët në Krujë dhe mbarë Shqipërinë. Sot Shqipëria ecën në rrugën drejt zhvillimit. Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria europiane është qëllimi më madhor yni” theksoi ai.
Përkundër sukseseve , në një vështrim drejt të ardhmes, Kryeministri u zotua para krutanëve për të tjera investime në këtë rreth, duke i garantuar ata për një infrastrukturë moderne, ujësjellësa e kanalizime.
“Së shpejti do marrim statusin kandidat, do hapim negociatat me BE, sëbashku me ju me heqjen e taksës mbi makineritë dhe cdo gjë tjetër që duhet për prodhimin u dhamë bizneseve shtytje të re të fuqishme. Në katër vite tërhoqëm 4 mln dollarë, për katër vitet që vinë do tërheqim 6 mln dollarë. Katër vitet që vinë zotohem se do shtroj cdo rrugë të këtij rrethi në katër anët e tij. Kam një permtim për të mbajtur, rruga Krujë-Tiranë, u jap fjalën ju, nuk harroj kurrë fjalën e dhënë, ju garantoj se ajo rrugë do përfundojë brenda dy viteve të para të mandatit që vjen. Sikundër Mati do vijë nga Qafshtama në Krujë dhe Tiranë. Ne do ndërtojmë rrugën e Arbrit, boshtin e Jugut, do ta mbëjmë Shqipërinë me rrugët më të mira në rajon e më gjerë. Kruja do ketë ujësjellësin e ri, do ndërtojmë kanalizime” pëfundoi lideri i PD.
Edhe Ministri Eduard Halimi, kandidat për deputet për qarkun e Durrësit lëshoi akuza mbi Ramën për bllokimin e ligjeve dhe mosvotimin e amnistisë fiskale për biznesin.

“Këto zgjedhje janë mes dy alternativave, ajo e Sali Berishës për të ecur përpara dhe asaj të çoroditurit Edi Rama. Ai është kundër integrimit, si la deputetët asnjëherë të votonin për zhvillimin e vendit. Edhe sot i tha jo aministisë fiskale të propozuar nga Kryeministri. Ai i thotë po gjithmonë rritjes së taksave, të njëjtën gjë bënte edhe kur ishte Kryetar bashkie, i rriste taksat pa pushim dhe kur s’kishte çfarë të rriste më, shpikte taksa të reja. Ai është një rritës serial i taksave dhe vrasës serial i vendeve të punës. Qytetarët shqiptarë nuk ja harrojnë dëmin e madh që i bëri vendit me mosmarrjen e statusit, tani që dëmi është i pa riparueshëm lëshoi sot deputetët e tij që i mbante si skllevër. Dështimin e ka të shkruar në ballë. Ne nuk do kthehemi mbrapa, por do vazhdojmë përpara me Partinë Demokratike” u shpreh Halimi.
“Ne kemi vetëm një qëllim, për ne ju jeni të parët. Ka qenë një 8 vjecar i vështirë, por me arritje historike të pabesueshme, një punë që nuk është bërë në shekuj u bë në 8 vjet, u bë cdo gjë që ishte në dorë të Sali Berishës. Të vetmën gjë që kishte në dorë Edi Rama ishin tre ligjet, të cilat i bllokoi. Me 23 qershor kthejini reston bllokmenit të tre ligjeve për statusin kandidat” tha Gent Strazimiri.
