DASH i zhgënjyer nga anulimi i Samitit të Ohrit

Departamenti amerikan i shtetit ka reaguar pas anulimit të Samitit të presidentëve në Ohër  duke theksuar se SHBA është e zhgënjyer që shtetet e kanë humbur mundësinë për të diskutuar rreth sfidave të rajonit.“SHBA nuk është anëtare e SEECP, por ne do t’i mbështesim idealet dhe qëllimet e këtij procesi. Jemi të zhgënjyer pasi dëgjuam se Samiti është anuluar. Presidenti Ivanov dhe kabineti i tij kanë punuar shumë që të organizojnë një samit produktiv dhe pozitiv dhe është fatkeqësi që liderët e rajonit do ta humbin këtë mundësi”, kanë deklaruar përfaqësues të DASH-it.Ata kanë theksuar se janë optimist që takimi i ministrave të MPJ-ve do të rezultojë me sukses.Shefi i diplomacisë serbe, Ivan Mërkic u ka thënë gazetarëve në Beograd se, megjithatë në Ohër më 31 maj do të mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme në formatin “Gymnisch” dhe se Serbia nuk ka asgjë kundër që aty të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov anuloi dje mbajtjen e samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të rajonit në Ohër.Takimi i nivelit të lartë që ishte në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit Rajonal në Evropën Juglindore (SEECP) në organizim të presidentit Gjorgje Ivanov, nuk kishte ftuar Kosovën dhe presidenten Atifete Jahjaga. Anashkalimi i Kosovës bëri që të anulohet pjesëmarrja nga  Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Greqia.Ivanov në konferencën me gazetarët në selinë presidenciale theksoi se vendimi për anulimin e këtij samiti u bë në përputhje me interesat shtetërore dhe dinjitetin e Maqedonisë dhe se sipas tij, ai ka vepruar në përputhje të plotë me dokumentet bazë dhe rregullat si kryesues me Procesin e Bashkëpunimit Rajonal në Evropën Juglindore (SEECP).Samiti i shefave të shteteve do të duhej të mbahej me 1 qershor në Ohër, ndërsa më 2 qershor në Strugë do të mbahet Forumi i Dialogut midis civilizimeve.