Statusi, PDIU: Të caktohet data për tryezën politike

PDIU-ja ka kërkuar sërish sot që të caktohet se më shpejt një datë për organizimin e tryezës  politike që do të bënte të mundur arritjen e konsensusit për të përmbyllur detyrimet për marrjen e statusit të kandidatit për në BE.Në një deklaratë për shtyp, PDIU  thekson se do të ishte e turpshme nëse nuk do të zhvillohej tryeza politike e propozuar nga kjo parti."Mbeten dhe pak ditë. Do të ishte e turpshme nëse nuk do të bëhej kjo tryezë. Ne e përsërisim thirrjen tonë: nesër do të jetë shumë vonë dhe dikush do të përgjigjet në gjyqin e historisë" thuhet në deklaratën e PDIU-së.Gjithashtu PDIU-ja shpreh keqardhje që klasa politike e të dy krahëve nuk i dha zonjës Klinton sihariqin e madh, realizimin e një tryeze politike  ku të vendoset zgjidhja e ngërçit për miratimin e 3 ligjeve të kërkuara."Ne do dëshironim që kjo tryezë të ishte lajmi pozitiv për zonjën Klinton që erdhi këtu për të theksuar mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë. Ne e kemi theksuar dhe njëherë tjetër rëndësinë e marrjes së këtij statusi. Ai shënon hyrjen përfundimtare të vendit tonë në kursin perëndimor të ecjes së shteteve. Marrja e statusit do të ishte dhurata më e madhe që klasa politike shqiptare do i bënte kombit më properëndimor në Ballkan dhe më gjerë" thekson PDIU.Gjithashtu PDIU-ja i ka shprehur mirënjohjen zonjës Klinton që e ka ngritur çështjen çame në Kongresin amerikan.