Berisha me Clinton, optimist për opozitën, garanton zgjedhje sipas standardeve
Berisha me Clinton, optimist për opozitën, garanton zgjedhje sipas standardeveKryeministri Berisha priti sot, në një takim, Sekretaren e Shtetit të SHBA, zonjën Hillary Clinton, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit. Sekretarja e Shtetit shoqërohej nga Philip Gordon Asistent Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euro-Azisë, si dhe nga ambasadori amerikan në Shqipëri, zoti Aleksandër Arvizu.Pas prononcimeve për shtypin, gjatë takimit Kryeministri Berisha i uroi Sekretares Clinton mirëseardhjen dhe e vlerësoi vizitën e saj në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, si vizitën më historike të bërë nga një Sekretar Shteti në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se arritja më e madhe në këtë njëqindvjeçar është liria e kombit shqiptar dhe për këtë, shqiptarët i detyrohen shumë Shteteve të Bashkuara. Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve bilaterale dhe angazhimin për çuarjen e tyre më tej.Sekretarja Clinton falenderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe theksoi se kjo vizitë ishte realizimi i dëshirës për të vizituar Shqipërinë si Sekretare Shteti e SHBA në një moment kaq të rëndësishëm, siç është 100 vjetori i pavarësisë. Ajo u shpreh se që nga viti 1919, kur Presidenti Uillson mbështeti pavarësinë e Shqipërisë, SHBA kanë vazhduar gjithmonë të mbështesin kombin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, në përpjekjet e tyre për liri, pavarësi dhe demokraci. Ajo theksoi se SHBA do vazhdojë ta mbështesin Shqipërinë në përparimin e demokracisë, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, zhvillimin ekonomik dhe në përpjekjet e përbashkëta për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit. Sekretarja Clinton e falenderoi Kryeministrin për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë SHBA-ve në të gjitha forumet ndërkombëtare, në NATO, si dhe në luftën kundër terrorizmit, në Afganistan, Irak dhe kudo, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mbrojnë parimet e lirisë dhe demokracisë.Kryeministri e falenderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen e jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë nga SHBA si partneri dhe aleati më i madh i kombit tonë dhe e siguroi se Shqipëria do të mbetet një aleat besnik i Shteteve të Bashkuara, i gatshëm të qëndrojë në krah të tyre në çdo sfidë dhe kudo në botë. Kryeministri e njohu shkurtimisht Sekretaren Clinton me përpjekjet dhe reformat e qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin dhe përparimin ekonomik, social, shëndetësor etj. dhe vlerësoi lart ndihmën e SHBA në këtë drejtim.Kryeministri e siguroi Sekretaren Clinton se pas anëtarësimit në NATO, integrimi në BE është projekti më i madh për Shqipërinë. Ai shprehu bindjen e tij dhe të qeverisë shqiptare se një proces integrimi i bazuar në meritë është në interesin më të mirë të shqiptarëve, për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike. Kryeministri u shpreh se problemet politike tashmë janë tejkaluar dhe se rekomandimet e Komisionit Europian janë përmbushur në masën më të madhe dhe duke shprehur angazhimin e plotë të qeverisë për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga BE, shprehu besimin se interesi kombëtar do të mbizotërojë dhe opozita do t’i votojë këto ligje. Kryeministri siguroi Sekretaren Clinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike. Ai shprehu besimin se reforma konsensuale zgjedhore dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve do të sigurojnë që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, ai ftoi Sekretaren Clinton që SHBA të dërgojnë një numër sa më të madh vëzhguesish.Bashkëbiseduesit diskutuan dhe ndanë të njëjtat qëndrime për zhvillimet në rajon. Në takim u theksua se është në interesin e paqes dhe stabilitetit që vendet e rajonit të lenë pas të shkuarën dhe të fokusohen në të ardhmen e tyre të përbashkët, integrimin në Bashkimin Europian. Kryeministri e falenderoi Sekretaren Clinton për mesazhet e qarta të dhëna gjatë kësaj vizite në rajon dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me Kosovën në favor të paqes, stabilitetit si dhe ruajtjes së kufijve ekzistues, si interesi më i mirë i rajonit. Në takim u theksua se investimi shumëvjeçar për paqen dhe stabilitetin në rajon nuk duhet të çohet dëm nga qëndrime nacionaliste.Kryeministri i përcolli Sekretares Clinton përshëndetjet për Presidentin Obama, si dhe shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin për humbjet njerëzore dhe dëmet e shkaktuara nga uragani.