Berisha:Shqiptarët të njihen me dokumentat e shtetit

50 dokumenta të cilat pasqyrojnë një pjesë të historisë së krijimit të shtetit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit te Kongresi i Lushnjes janë ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare. Kryeministri Sali Berisha ka inaguaruar hapjen e kësaj ekspozite duke u shprehur se dokumentat e prezantura paraqesin zgjimin e shqiptarëve në të gjitha trojet ku jetojnë. Kreu i qeverisë ftoi qytetarët që të njihen me këto dokumenta të cilat kanë qenë themelet e para të shtetit shqiptar.“Kjo ekspozitë është një paraqitje e shkëlqyer të dokumenteve të qëndrojnë në themel të përpjekjeve politike dhe diplomatike të shqiptarëve, për të ndërtuar shtetin e tyre të pavarur. Nga një vështrim i shpejtë, ajo që bie në sy është një zgjim i madh i shqiptarëve në të gjitha trojet etnike dhe shqiptarëve në diasporë e kudo që ndodhen. Kjo përbën një nga habitë e mëdha të kohës, pasi kombi, për shekuj në një perandori tjetër, zgjohet me një ndërgjegje kombëtare që do ta udhëheqë atë dhe do ta frymëzojë në një betejë të madhe për pavarësinë e Shqipërisë. Shumë mbresëlënëse janë dokumentet e Lidhjes së Prizrenit, të cilat mishërojnë në mënyrën më të shkëlqyer idealin e bashkimit kombëtar, idealin më fisnik të shqiptarëve, ideal që do t’i frymëzojë ata, në çdo kohë, për zhvillim, për bashkim dhe horizonte të reja. Ky ideal, në fakt, frymëzoi shqiptarët, në çdo moment të vështirë të historisë së tyre, që të qëndrojnë së bashku dhe sot është më frymëzues se kurrë ndonjëherë” tha Berisha.Ekspozita "Koha e Memorandumeve nga Lidhja e Prizrenit deri ne Kongresin e Lushnjes" është një aktivitet në vazhdën e aktiviteve të përgatitura me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë e zhvilluar në Biblotekën Kombëtare.