Maldini dhe Seedorf për të zëvendësuar Alegrin te Milan
Pas spekulimeve të shumta nga mediat italiane, se trajneri Massimiliano Allegri, nuk do të jetë më në krye të skuadrës Kuqezi, kanë dalë emrat e parë që mund të zënë vendin e tij.Nëse Alegri do ti japë fund marrdhënieve me klubin e "Djallit" për të kaluar pastaj te skuadra e Romës, zëvendësuesit e tij janë gati dhe për më tepër vijnë pikërisht nga skuadra kuqezi. Dy ish legjendat e klubit, Klarense Seedorf dhe Paolo Maldini, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar me fanellën e kësaj skuadre, shihen si alternativat më të mundshme për të marrë timonin e skuadrës së drejtuar nga presidenti Berluskoni.Gazetat më të njohura italiane, “La Gazzetta dello Sport”, “Corriere dello Sport” apo edhe “Tuttosport”, të gjitha sot në faqen e parë të tyre kanë vënë lajmin se Seedorf dhe Maldini do ta drejtojnë Milanin në sezonin e ardhshëm.Mesfushori holandez për momentin është duke luajtur për klubin brazilian të Botafogos, dhe për ta marrë postin e trajnerit të Milanit ai duhet të heqë dorë nga futbolli i luajtur, gjë që duket paksa e pamundur për një adhurues dhe 'makinë' të këtij sporti, pa marrë parasysh vitet mbi supe që ka mesfushori tulipan. Ndërsa në lidhje me Maldinin, një nga shtyllat e skuadrës së Milan për vite me radhë, gjërat janë më të thjeshta. Ish Kapiteni i kuqezinjve pas largimit nga futbolli është i papunë dhe një rikthim i tij pritet me shumë entuziazëm jo vetëm nga drejtuesit por edhe nga mijëra adhurues të ekipit të "Djallit".Eksperinca shumëvjeçare si kapiten dhe marrëdhëniet e shkëlqyera më drejtuesit, të bëjnë të mendosh se Maldini do të jetë zgjidhja më perfekte për drejtimin e skuadrës. Përveç këtyre dy emrave që shihen si më të mundshmit, në mediat italiane vijojnë të qarkullojnë edhe emra të tjerë siç është legjenda Marko Van Basten, Filipo Inzagi, apo edhe Gatuzo. Ajo që vihet re është fakti se drejtuesit e Milan kërkojnë në krye të skuadrës një trajner ku në venat e tij qarkullon vetëm gjak kuqezi, një njeri që njeh mirë ambientin dhe di cilat janë dëshirat e skuadrës.