Lampard tregon sekretin pse nuk arriti të bëhet mik me Benitez
Frenk Lampard, ka pranuar se marrëdhënia e tij me Rafel Benitez në muajt që spanjolli drejtoi Çelsin, nuk ka qenë nga më të mirat e mundshme dhe se ai praktikisht nuk është miqësuar asnjëherë me trajnerin e përkohshëm të londinezëve. Mesfushori ka treguar se si 6 muajt e drejtimit të Benitez kanë qenë ndër më të vështirët në karrierën e tij si futbollist.Në një prononcim për mediat britanike, Lampard ka treguar sekretin se pse ai dhe Benitez nuk arritën të bëheshin asnjëherë miq."Janë disa trajnerë me të cilët ndërton një marrëdhënie dhe krijon afrimitet. Benitez nuk është një tip i tillë. Ai nuk është lloji i trajnerit më të cilin mund të ulesh dhe të bisedosh për gjërat që të shqetësojnë", shpjegoi Lampard.Me tej mesfushori i Bluve të Londrës shtoi se: "Ne zhvilluam pak biseda bashkë rreth të ardhmes time, ku ai u tregua i sinqertë me mua duke më thënë se nuk ishte i përfshirë. Por kaq ishte e gjitha! Ai nuk është lloji i trajnerit që shkon dhe i hedh dorën mbi shpatulla lojtarëve të tij. Megjithatë, nuk mund të them se kjo është e gabuar. Edhe Kapelo bënte një gjë të tillë te Anglia. Ndoshta kjo varet edhe nga fakti që ato janë trajnera të vjetër dhe vazhdojnë të mbajnë ato qëndrimet e tyre strikte", shpjegoi mesfushori.Por duket se Lampard nuk e ka pëlqyer shumë Benitez, edhe për faktin se mesfushori nuk i ka dalë në mbrojtje spanjollit sa herë që vetë tifozët e Çelsit e fyenin atë në stadium. Tashmë Lampard pret kthimin e trajnerit i cili sipas tij ka ndikuar më shumë në karrierën e "brezit të artë" të Çelsit."Hoze Murinjo është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar, ndaj shpresoj që ai të kthehet sa më parë këtu", ishin fjalët e Lampard në deklaratën e tij për mediat angleze.