Gjika: Malaj të tërhiqet, çdo votë e tij shkon në favor të PD-së

Kreu i bashkisë së Vlorës Shpërtim Gjika është shprehur kundër kandidimit të Arben Malajt si i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit.Në një deklarata për shtyp, Gjika ka kërkuar nga Malaj të tërhiqet pasi çdo votë e tij shkon në favor të Partisë Demokratike.“Ne, si përfaqësues të mandatuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë e të zgjedhur me votë popullore në pushtetin vendor, në emër edhe të të gjitha strukturave të P.S. në Vlorë, në emër të secilës zemër socialiste e opozitare që po numëron me padurim çdo rrahje të saj deri në fitoren e madhe historike të 23 qershorit: Jemi KUNDËR veprimit politik të z. Arben Malaj për të kandiduar si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës në zgjedhjet politike që do të mbahen në 23 qershor. Dhe jo vetëm që ne nuk e mbështesim,jo vetëm që jemi kategorikisht kundër, por jemi të gjithë shumë të indinjuar e të revoltuar  për faktin që një anëtar i familjes sonë të madhe socialiste, një drejtues i PS në qendër, me të drejtë fjale e vote në kryesi e në strukturat drejtuese, në një formë që ne e vlerësojmë si të pabesë e të pamoralshme, del nga pas shpine e kërkon të përdhosë atë që do të jetë në qarkun e Vlorës e në të gjithë Shqipërinë. Ndaj ju bëjmë thirrje z. Malaj, të hiqeni mënjanë e të mos na futeni në mes, se rrezikoni të bëheni parzmore e mburojë e Sali Berishës. Ne e kemi të qartë se çdo votë që mund të marrësh ti, është votë pro Sali Berishës. Do t'ia  bëjmë të qartë të gjithë popullit opozitar. Fatmirësisht jemi ende në fillim të fushatës dhe bateritë ende s'janë zbrazur. Vendi yt, Arben Malaj, është përkrah nesh, ashtu siç e do nderi yt e i familjes tënde. Presim ta zësh sa më parë e me modesti atë vend" thuhet në deklaratë.