Meta ironizon Berishën:Amerikanët ia kanë hequr vizën me kohë
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka sulmuar sot kryeministrin Berisha se nuk ka bërë asgjë në lidhje me infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.Në një takim në qytetin e Kuçovës, ku ka prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë, Meta i është referuar edhe deklaratave të kryeministrit se do të heqë vizat me SHBA-në.“Amerika ia ka hequr me kohë vizën doktorit, pavarësisht së ai premton se do t’u heqë vizat shqiptarëve me SHBA. Dhe kjo për arsye sepse përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme është e papranueshme, jo vetëm për perëndimin, por edhe për ne si qytetarë të një vendi që dëshiron dhe do të integrohet në Bashkimin Evropian. Shikoni se sa jo serioz është Berisha edhe më çështjen e integrimit. Ka akuzuar për një kohë të gjatë PS-në se nuk voton tre ligjet, por kur unë propozova prej dy javësh një kompromis të cilin Edi Rama e pranoi, që tre ligjet të votohen tani në këtë parlament, vetëm me një ndryshim, që ato të hyjnë në fuqi në shtator me parlamentin e ri. Berisha bëri sikur nuk e dëgjoi këtë kompromis apo propozim dhe vazhdon atë refrenin e tij të vjetër duke thënë hajde votojini se unë tre ligjet i kam këtu. Në fakt, shqetësimi i tij nuk është integrimi evropian i vendit, por shqetësimi i tij është se si të shkojë në vendet e reja në Gjykatën e Lartë për të krijuar kolegjin Administrativ për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative, njerëz si partiakë të besuar, të cilët në vend që të japin drejtësi do të jepnin padrejtësi dhe politikë” shtoi Meta.Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha se është kthyer në një pengesë për vendin, për bashkëpunimin politik, që është domosdoshmëri për të çuar përpara reformat e integrimit pasi sipas tij jeton në një Shqipëri vetëm me suksese. “Ai nuk i shikon gropat as në Urën Vajgurore, as në rrugën që lidh Beratin me Lushnjen dhe as në rrugën tuaj me Fierin. Ai shikon vetëm arritje historike, nuk shikon as papunësi dhe as probleme të tjera të cilat e bëjnë jetën tuaj çdo ditë edhe më të vështirë”, u shpreh ai.Duke përfunduar Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se të gjithë duam të bëhemi një vend normal, duam të bëhemi një vend evropian, prandaj rrotacioni është i domosdoshëm, është i sigurt dhe është i padiskutueshëm.“Ndaj duke votuar për LSI-në dhe për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, ju keni votuar që Shqipëria të hyjë në një stad të ri të zhvillimit të saj demokratik por edhe ekonomik, ju keni votuar për një qeveri të re, e cila do ta ketë Kuçovën në vëmendjen e saj dhe prioritet të saj dhe e cila do të kujdeset për të gjithë Qarkun e Beratit, në mënyrë të veçantë. Ndaj kemi nevojë për votat tuaja, kemi nevojë për mbështetjen tuaj. Fitorja është e padiskutueshme. Koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Evropiane është koalicioni më i gjerë që ka ndodhur ndonjëherë, në këto dy dekada të pluralizmit politik në vend. Për herë të parë të gjitha forcat e së majtës janë në një koalicion, por ky është një koalicion edhe më i gjerë sesa e gjithë e majta. Është një front i gjerë opozitar përballë një të djathte të përçarë dhe njëkohësisht në panik. Ndaj të gjitha votat për LSI-në, të gjitha votat për rrotacionin që duhet të ndodhë në 23 qershor dhe që do të ndodhë, por edhe për një faqe të re që do të hapet për Kuçovën dhe Shqipërinë në 24 qershor. Të gjitha votat për Selfo Kapllanin, në mënyrë që ai të jetë deputet në Kuvendin e ri dhe në mënyrë që Kuçova të krenohet më përfaqësuesin e saj. Fitore. Rroftë populli i mrekullueshëm i Kuçovës”, përfundoi Meta.