Nuk bën dëm në Durrës. Duka i përgjigjet Ramës: 23 qershori, përgjigjia më e mirë

Pas deklaratës së bërë mbrëmjen e së premtes nga kryetari i Partisë Socialiste në Tonight Ilva Tare në RTV Ora News, vjen dhe reagimi i kandidatit për deputet në Qarkun e Durrësit, tashmë nën siglën e PR, Agron Duka. Përmes një deklarate për mediat, Duka duke mos dashur të paragjykojë veten dhe as lidershipin rozë, shprehet se vjen në këtë fushatë për të mos dëmtuar askënd, por të përfaqësojë qytetarët e Durrësit në parlamentin shqiptar.“Nuk kam dëshirë që në këtë fillim fushate elektorale të shpenzoj energji për t'i kthyer përgjigje liderit socialist, Edi Rama mbi deklaratat e bëra mediatikisht. Synimi im në këtë fushatë është të mbështes elektoratin tim në Durrës, qoftë edhe nën logon e Partisë Republikane. Nuk kam dëshirë që të paragjykojë as veten dhe as kreun e PS-së, por kam ardhur me një qëllim, që qytetarët e Durrësit të kenë një zë të fuqishëm në Parlamentin Shqiptar. Vij në këtë fushatë për të mos dëmtuar askënd. 23 qershori do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë ne” shprehet Duka.Të premten në Tonight, Edi Rama, mohoi se ka pasur presion nga LSI për moskandidimin e Agron Dukës.“Unë kam mbrojtur mendimin se dy kunetër në dy forca aleate në një front do ishte shumë për të njëjtin qark. Është shumë nga pikëpamja etike në raport me elektoratin,” tha Rama, duke theksuar sërish se Duka nuk u shkakton asnjë problem.