Beins dhe Fellaini i bashkohen Devid Moyes te Manchester United
Largimi i David Mojes nga Evertoni drejt Manchester United pritet të marrë me vete edhe dy lojtarë të rëndësishem të ish skuadrës së tij Leiton Beins dhe Marouan Fellaini. Trajneri që do të zërë vendin e Aleks Ferguson me 1 korrik ka caktuar që tani dy prioritetet e tij për merkaton mbrojtësin Beins kartoni i të cilit kushton 15 milion paund, dhe mesfushorin Belg Fellaini klauzola e largimit të cilit kushton plot 24 milion paund.28 vjeçari Beins ka qenë prej kohësh një objektiv i merkatos së kampionëve të Anglisë, por "djajtë e kuq" nuk kanë hyrë asnjëherë zyrtarisht në bisedime për blerjen e tij. Tani, me transferimin e Mojes, edhe mbrojtësi pritet të ndjekë pas trajnerin falë të cilit shpërtheu në futbollin anglez dhe u bë një lojtar formacioni në kombëtaren angleze. Vetë drejtuesit e Evertonit pak kohë më parë deklaruan se nëse për mbrojtësin e majtë do të vinte një ofertë e rëndësishme nga klubet e mëdha angleze, ata nuk do të pengonin largimin e tij, për sa kohë që edhe oferta ekonomike ishte e kënaqshme.Përsa i përket Fellaini, Mojes duhet të luftojë në këtë rast ndaj shumë klubeve të tjera dhe të shpresojë që vetë lojtari belg dëshiron të vazhdojë të punojë nën drejtimin e tij. Shkak është interesimi i jashtëzakonshëm për 25 vjeçarin që luan si një mesfushor ofensiv dhe ka treguar se njeh mjaft mirë jo vetëm si të organizojë lojën, por edhe si të shënojë gola. Klauzola e tij e largimit prej 24 milion paund është një shumë që mund të paguhet nga klubet e mëdha angleze, ndërsa gjatë gjithë këtij sezoni është folur se Mançester Siti dhe Çelsi do të bëjnë gati ofertën për Evertonin dhe vetë futbollistin belg, listë të cilës tashmë i është shtuar edhe Mançester Junajtid.