Neimar, emri i parë për një revolucion te Real Madrid
Neimar është kthyer tani në objektivin më të rëndësishëm të merkatos për dy klubet më të mëdha të kampionatit spanjoll dhe jo vetëm. Talenti brazilian edhe pse flitet se ka nënshkruar një parakontratë me katalanasit, Reali Madridit vazhdon të insistojë për blerjen e kartonit të tij. Sipas gazetës spanjolle “AS”, shumë pranë klubit kryeqytetas, bëhet e ditur se madrilenët kanë dërguar përfaqësues në Brazil për të diskutuar transferimin e sulmuesit në Spanjë.Duket se futbollisti brazilian do të jetë premtimi i radhës i fushatës elektorale të Florentino Perez, që rikandidon si president i klubit e për këtë arsye, ai do të marrë një "po" nga futbollisti sa më parë, për të treguar edhe një herë forcën e tij dhe se si i ka "vjedhur" Barcelonës një objektiv të merkatos.Ideja e madrilenëve është të bindin Santos që të vendosë një çmim të lartë për futbollistin, në mënyrë që Barcelona të tërhiqet nga blerja e tij edhe pse mendohet se ka nënshkruar një parakontratë me lojtarin. Në këtë mënyrë, Reali do të jetë i lirë të negociojë blerjen e tij që në fund të këtij sezoni dhe jo në atë pasardhës, kur Neimar do të largohet me parametër zero nga klubi brazilian.Për të blerë lojtarin brazilian, Real Madrid do të shfrytëzojë të ardhurat nga shitja e disa lojtarëve gjatë verës, ku në repartin e sulmit do të largohet Higuain dhe Di Maria pa harruar edhe emra të tjerë që mund ti japin lamtumirën kryeqytetit spanjoll. Të dy lojtarët e sipërpërmendur kërkohen me ngulm nga Juventus por ajo që mund të shokojë të gjithë, është largimi i Ronaldos i cili kërkohet me ngulm nga Mançester Junajtid e PSG.