Përfundon 2-2 derbi londinez mes Chelsea dhe Tottenham

Derbi Londinez mes Chelsit dhe Totenhem ka përfundur në barazim  2-2, në një takim i cili ashtu siç pritej dhuroi gola dhe spektakël. Të dyja skuadrat luanin shanset për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, por skuadra e cila u nda më e kënaqur nga ky barazim ishte ajo e Benitez, që vazhdon të mbajë vendin e 3 në renditje. Ndërsa Totenhemi rrezikon më shumë të mbetet jashtë zonës së Ligës së Kampioneve në sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht është në vendin e pestë.Ndeshja ka folur më shumë për Çelsin, që ka dominuar që në minutat e para dhe ka gjetur golin e avantazhit me Oskar pas zhvillimit të një goditje nga këndi që në minuten e 10-të. Por më pas ishte Adebajor që në mënyrë të papritur vendosi barazinë, pikërisht në momentin më të mirë të skuadrës së Chelsit. Gjithsesi, skuadra e Benitez luftoi më shumë, duke kërkuar me ngulm që të gjente përsëri golin e avatazhit, dhe ia arriti qëllimit kur në minutën e 39-të, Ramires u shfaq në zonë duke mposhtur Loris me një goditje të saktë.Pjesa e dytë foli krejtësisht për Çelsin, me Totenhemin që nuk bëri thuajse asnjë gjuajtje në portë dhe dukej se do të largohej me një tjetër humbje nga "Stemford Brixh" duke i dhënë lamtumirën ëndrrave për Ligën e Kampioneve. Por një kombinim Adebajor dhe Sigurdson bëri që Spërsat ti gëzoheshin golit të barazimit të realizuar nga islandezi kur mbeteshin edhe 10 minuta lojë. Blutë e Londrës befasohen sërish, ndërsa minutat e mbetura nuk mjaftojnë që skuadra e Benitez të marrë një rezultat pozitiv përballë publikut të zjarrtë vendas.Çelsit i mjafton të fitojë ndeshjen e fundjavës ndaj Aston Vilës për të siguruar përfundimisht edhe matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.