Manchester United tenton të rikthejë Ronaldon nëse largohet Roney

Mançester Junajtid do të pësojë ndryshime të rëndësishme në sezonin e ardhshëm, sapo drejtimin e skuadrës ta marrë zyrtarisht trajneri i ri, Devid Mojes, pas dorëheqjes së Aleks Ferguson. Lajmi që është përhapurt tani në të gjitha mediat se Uejn Runi ka kërkuar të largohet në verë, me destinacionin më të mundshëm Bajernin e Mynihut, PSG apo Çelsin, ka sjellë edhe një lajm tjetër që vendin e tij do ta zërë Kristiano Ronaldo.Sipas mediave angleze, Runi ka kërkuar vetë largimin pasi e sheh të nevojë për një fillim të ri në karrierën e tij. Sulmuesi e ka kuptuar se tashmë nuk ka më një rol aq kryesor në skuadër, me Van Persin që i ka "vjedhur" plotësisht vendin dhe është kthyer në golashënuesin e "djajve të kuq". Ndaj, 27-vjeçari beson se në një skuadër tjetër ai do të ishte shumë më i vlerësuar dhe do të kishte më shumë hapësira. Mësohet se ai ka filluar bisedimet me Çelsin dhe Bajernin, ku pritet të transferohet për 25 milion paund gjatë verës, por pa harruar këtu edhe interesimin e vazhdueshëm të kryeqytetasve francez. Ideja e largimit të tij përforcohet nga fakti se ai nuk ka një marrëdhënie të mirë me David Mojes, ndërsa të dy kanë pasur një çështje gjyqësore të hapur ndaj njëri-tjetrit pas largimit të lojtarit nga Evertoni, ku ishte pikërisht Mojes që e zbuloi si futbollist.Ndërkohë, është zbuluar se Mançester Junajtid ka bërë hapa të rëndësishëm para për të siguruar Kristiano Ronaldon. Shefi ekzekutiv i "djajve të kuq", David Gill, ka qenë në Madrid disa herë në javët e fundit, ndërsa është takuar me menaxherin Horge Mendes, duke folur për kthimin e portugezit në radhët e skuadrës angleze. Sipas burimeve brenda klubit anglez, bëhet e ditur se është arritur një marrëveshje  që Ronaldo të rikthehet përsëri në “Old Trefor”. Me largimin e Ser Aleks duket se shumë gjëra do të ndryshojnë në radhët e skuadrës së Manchester Unitet.