Real Madrid mund Malagën me rezultatin tenistik 6-2
Real Madrid nuk i ka dhënë kënaqësinë Barcelonës që të fitojë titullin kampion "nga poltroni", pasi ka fituar ndeshjen e vet kundër Malagas, duke shtyrë festën e titullit të katalanasve të paktën deri në fundjavë. Skuadra e Murinjos ka fituar me rezultatin e thellë 6-2, duke përfituar nga superioriteti numerik pas dy kartonëve të kuq për ekipin mik.Madrilenët kaluan në avantazh që në minutën e 2-të me Albiol, por nuk e prisnin reagimin e Malagas që barazoi pas 10 minutash me Santa Kruz. Por në minutën e 21-të, miqtë mbeten me një lojtar më pak në fushë, pasi Serxho Sançez ndëshkohet me karton të kuq pas një ndërhyrje të gabuar në zonë. Nga pika e bardhë gjuan Kristiano Ronaldo, por Kabajero bën mrekullinë duke devijuar me këmbë gjuajtjen e tij.Megjithatë, lojtari i Realit hakmerret pak minuta më vonë duke kaluar në avantazh skuadrën e tij, ndërsa Ozil çoi shifrat në 3-1 që në minutën e 34-të. Një gol i jashtëzakonshëm i Antunes dy minuta më vonë dukej sikur do të vinte gjithçka në diskutim, por është Benzema që siguron fitoren madrilenëve që në 45 minutat e para.Në pjesën e dytë, dominimi i Realit është mëse i dukshëm me Modriç që shkruan emrin në goladën madrilene. Malaga nuk ka forcë të reagojë, pasi sheh një tjetër lojtar të largohet me karton të kuq. Demikelis ndëshkohet pas protestave ndaj gjyqtarit dhe lë skuadrqn e tij me 9 lojtarë. Faktori numerik shfrytëzohet nga të besuarit e Mourinhos për të shënuar një tjetër gol me të Di Marias në minutat shtesë, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 6-2 për "Galaktikët”.Duhet theksuar se festa e madrilenëve u prish disi nga dëmtimi në minutat e fundit të Ozil, i cili braktisi fushën e lojës dhe mund të jetë në dyshim për finalen e Kupës së Mbretit ku do të luajë përballë Atletiko Madrid. Këta të fundit fituan mbrëmë ndaj Selta Vigos me rezultatin 1-3.