Juventus dhe Napoli vijojnë serinë e rezultateve pozitive

Edhe pse janë shpallur kampion të Italisë që javën e kaluar, Juventusi vazhdon serinë e rezultateve pozitive në kampionat.Viktima e radhës për bardhezinjtë në javën e 36 të Serisë A, ka qenë skuadra e Atalantës e cila është mundur në Bergamo me rezultatin minimal 0-1. Goli i vetëm i këtij takimi u shënua nga Alesandro Matri, në minutën e 18 të takimit. Juventusi duke qenë se ishte shpallur kampion ,vinte në këtë takim me shumë ndryshime në formacion, por asnjëherë nuk e vuri në dyshim fitoren ndaj një Atalante e cila ndodhet në zonën e ftohtë të renditjes. Bergamaskëve nuk u lejohet një dështim tjetër në dy javët e mbetura, nëse dëshirojnë të mbeten pjesë e elitës së futbollit europian.Ashtu si kampionët e Italisë, fitore në këtë javë të kampionatit italian ka shënuar edhe Napoli i vendit të dytë në renditje. Të besuarit e Maxarrit kanë mundur me rezultatin e pastër 3-0 Bolonjën në transfertë. Pas një pjese të parë pa gola por me shumë raste të shpërdoruara nga ana e të dyja skuadrave, serinë e golave për ekipin napoletan e hapi Hamshik në 10 minutëshin e parë të fraksionit të dytë. Për të dyfishur shifrat mendon bomberi kryesor i napoletanëve, Edison Kavani, i cili shënon nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 63-të. Ndërsa pas 4 minutave është mesfushori me origjinë shqiptare, Xhemaili, i cili trefishon shifrat duke vulosur edhe rezultatin e këtij takimi, i cili nuk do të ndryshojë deri në vërshëllimën e fundit. Pas kësaj fitore, Napoli siguron automatikisht vendin e dytë në renditje dhe pjesmarrjen në Chempion, ndërsa Bolonja mbetet përsëri në zonën e ftohtë të fundit të renditjes me 40 pikë.