Kombëtarja shqiptare tjetër rekord në renditjen botërore të FIFA-s

Kombëtarja shqiptare ka arritur një tjetër rekord në renditjen botërore të FIFA-s. Shqipëria tani është në pozitën e 43-të me 640 pikë.Muaj më pare, kombëtarja jonë u ngrit në pozitën e 48-të, që ishte ngritja më e lartë në historinë e futbollit tonë.Ndërsa, sot me 9 Maj, kur u publikua lista e re e FIFA-s, u vërejt një tjetër ngritje prej pesë pozicionesh. Kjo tani bëhet arritja më e madhe e futbollit shqiptar dhe sigurisht këtu kanë ndikuar dy ndeshjet e fundit të shkëlqyera të djemve tanë kuqezi, të cilët udhëhiqen nga tekniku De Biasi.Përveç suksesit të kombëtares tonë që po njeh gjithmonë e më shumë rritje në muajt e fundit, Top 10-shi i renditjes së FIFË-s nuk ka pësuar ndryshime.Spanja vazhdon të jetë e para me 1538 pikë në një shkëputje të madhe nga Gjermania që mban vendin  e dytë me 1428 pikë. Podiumin e renditjes botërore të FIFA-s e mbyll Argjentina e treta me 1296.Kroacia dhe Portugalia plotësojnë 5 vendet e para të renditjes. Në vendin e gjashtë renditet skuadra e dytë jashtë Europës, Kolumbia. Në vendin e 7, 8 dhe 9 janë përsëri tre skuadra europiane, Anglia, Italia dhe Holanda. Ndërsa 10-shen më të mirë e mbyll Ekuadori. Ajo që bie në sy në këtë renditje  është fakti se Brazili dhe Franca, dy ekipe me histori në futbollin botëror, vazhdojnë të mbajnë vendin e 18 dhe 19 në renditje, një paraqitje jo shumë dinjitoze kjo për 5 herë kampionët e botës dhe por edhe për gjelat francez që pas largimit të plejades së Zidan dhe kompani ka njohur vetëm rënie të vazhdueshme.