Benitez kërkon fitoren ndaj Totenham dhe thekson se Mourinho do ti zerë vendin

Rafael Benitez ka bërë të qartë se mendon që pasardhësi i tij në stolin e Çelsit do të jetë Zhoze Murinjo. Spanjolli ka konfirmuar edhe një herë se do të largohet nga drejtimi i klubit gjatë verës, kur të përfundojë edhe detyra e tij si trajner i përkohshëm, ndërsa pret që menjëherë në stolin e skuadrës të ulet portugezi, një nga rivalët e tij më të ashpër. Edhe pse Mourinho akoma nuk e ka konfirmuar largimin e tij nga madrilenët, Benitez është i bindur se vendin e tij te "Blutë" e Londrës do ta zërë pikërisht "Speshiall One"."Vitin tjetër në drejtimin e skuadrës do të jetë një tjetër trajner dhe mendoj se të gjithë e dinë se për kë bëhet fjalë", ishte komenti i Benitez rreth kësaj teme, duke bërë të qartë se emri i Murinjos ishte më shumë se thjesht spekulim.Ndonëse portugezi është një ndër trajnerët që ai urren më shumë, Benitez mund t'i bëjë një nder të madh Murinjos duke i siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, nëse fiton ndaj Totenhemit në takimin e ditës së sotme në kampionat."Në këtë pikë mund të them se një ndeshje e tillë do të jetë thelbësore pasi në rast fitoreje, do të kemi të garantuar një vend mes katër skuadrave të para në Premier Ligë. Ka shumë ndeshje të rëndësishme, por kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha", përfundoi tekniku spanjoll, i cili la të kuptohet përveç zëvendësimit nga Mourinjo se fitorja sot në derbi është e domosdoshme, për më tepër që skuadra e tij luan në shtëpi.