Inter - Lazio, formacionet e mundshme

Seria A luan sot ndeshjet e vlefshme për javën e 36-të, ndërsa sfida më e rëndësishme e mbrëmjes së sotme pritet të jetë ajo mes Interit dhe Lacios. Të dyja skuadrat kanë bërë një performancë për tu harruar këtë sezon, pasi kanë dalë jashtë objektivave që kishin në fillim të sezonit. Pavarësisht kësaj, duke ju referuar historisë së dy klubeve dhe asaj çfarë kanë dhënë në futbollin Italian, kjo përballje mund të quhet një derbi i vërtetë pasi gjithmonë është shoqëruar me emocione të forta dhe gola të shumtë. Si interi ashtu edhe Lacio janë matematikisht në garë për një vend në Europa Ligë, por kjo lidhet vetëm me tolerimin që do të bëjnë skuadrat e pozicionura më mirë në renditje. Në përballjen e mbrëmjes së sotme, Interi do të vuaj përsëri dëmtimet e shumta në mbrojtje dhe në sulm, ndërsa Lacio pas fitores së thellë në fundjavë ndaj Bolonjës ka rigjetur në sulm bomberin Klose, i cili pritet të jetë vendimtar edhe në këtë takim. Ajo që vlen të theksohet është fakti se Cana rikthehet titullar te Lacio.Trajneri i Interit, Stramacioni, pritet që sonte të hedhë në fushë formacionin 4-3-1-2.Në portë: Handanoviç, në mbrojtje: Pereira, Huan Hezus, Ranokia dhe Xhonatan, në mesfushë: Kambiaso, Koveciç dhe Kuzmanoviç, ndërsa në sulm Guarin do të mbështesë dyshen sulmuese Alvares dhe Roki. Ky i fundit do të ketë një sfidë emocionuese pasi do të luajë kundër ish skuadrës së tij.Në kampin tjetër, trajneri i Lacios, Petkoviç, pritet të hedhë në fushë formacionin 4-4-2.Në portë: Marketi, në mbrotje: Radu, Cana, Biava dhe Konko, në mesfushë: Luliç, Hernanes, Gonzales dhe Kandreva, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Flokari dhe Klose.Ndeshja do të luhet në orën 20 e 45 në stadiumin “San Siro”, i cili pritet të jetë i tejmbushur, pavarësisht pozitave të skuadrave në renditje.