Oferta për votimin e 3 ligjeve, Meta fton Berishën e Ramën në takim brenda javës
Marrë shkas nga Dita e Europës, kreu i LSI ka ftuar sërish partitë politike,në mënyrë të vecantë liderët e dy partive të mëdha të shkëputen nga fushata politike për një moment të vetëm dhe të takohen deri të enjten për votimin e tre ligjeve. Meta gjatë një konference për gazetarët shprehu zhgënjimin se as përkujtimi i kësaj ditë nuk solli asnjë progres apo hap konkret për votimin e ligjeve, por vetëm një retorikë të përsëritur akuzash.“Sot ditë e madhe për kombin tonë, por dhe kontinentin, por, edhe për gjithë shqiptarët pasi është dita e paqes integrimit dhe progresit të mbarë njerëzimit, ditë frymëzimi për bashkëpunim dhe integrim. Është për të ardhur keq që sot në vend që të merreshim me angazhime konkrete për të hedhur hap tjetër drejt BE, dëgjuam një retorikë të përsëritur akuzash, për fajësime, për bllokimin e procesit, ndërkohë që prej disa kohësh LSI ka propozuar një kompromis tepër të arsyeshëm që ndihmon për kapërcimin e ngërcit politik për miratimin e 3 ligjeve. Që konsiston në miratimin e tyre brenda përfundimit të mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim që ata të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri me muajin shtator. Kjo është argumentuar me rrezikun që vjen me keqpërdorimi me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, pra me rrezikun që sikurse e keni vënë re se disa emërime në postet me të larta kanë karakter të ngushtë partiak që nuk do i shërbente zbatimit të ligjit në frymë evropiane. Sot në këtë ditë të rëndësishme gjej rastin të ftoj edhe njëherë kreun e PD-së zotin Berisha në mënyrë të vecantë, zotin Rama dhe kolegët e tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale, të takohemi deri të enjten në orën 10:00 për të bashkërenduar miratimin e 3 ligjeve që ti përgjigjemi ftesës së BE dhe të shqiptarëve, duke hequr dorë nga akuzat që nuk prodhojnë progres për marrjen e statusit. Nuk ka nevojë për retorikë, por për kompromis” tha Meta.I pyetur nga gazetarët lidhur me situatën e krijuar në Këshillin bashkiak të Tiranës, Meta akuzoi kreun aktual të PD, Njazi Kosovrasti për papërgjegjshmëri dhe shkelje të hapur të ligjit. Sipas tij sjellje të tilla nuk e ndihmojnë aspak PD për të thithur vota nga elektorati kryeqytetas.“Zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës apo dhe Këshillin Bashkiak, apo që lidhem me ish-kreun e Këshillit Bashkiak nuk janë ato që duhet të na frymëzojnë për një Tiranë të stadardeve evropiane që frymëzon procesin e integrimit. Kemi një ish-kryetar të Këshillit Bashkiak që shkel hapur ligjin dhe procedurat ligjore, dhe shpërfill kërkesën e shumicës dhe nuk pranon realitetin e tij që PS dhe LSI janë një bashkësi solide duke bërë veprime groteske sic është ndërrimi i bravave apo i marrjes së çelësave sikur të ishte pronë private.Urdhri i marrë për të zvarritur në pafundësi deri më 23 qershor konfigurimin e ri në Këshillin e Bashkisë vjen nga aktori i dhunimit të KQZ-së si institucion i pavarur. Po kjo nuk ka për të ndikuar aspak në rezultatin e 23 qershorit që është i qartë dhe diferencën më të madhe do ta bëjë qarku i Tiranës”, theksoi ai.Meta ka komentuar edhe sondazhin parazgjedhor të Institutit Italian “Piepoli’, sipas të cilit koalicioni i majtë, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” kryesonte me 9% kundrejt koalicionit të djathtë.“Jam i bindur se ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ është edhe më shumë se 9 % para koalicionit të djathtë, pas shpjegimeve që u dhanë nga përfaqësuesit e këtij institucioni prestigjioz. Anketimet janë bërë shumë më përpara dhe gjërat tani kanë ecur shumë shpejt”-përfundoi kreu i LSI.