Rrëzohet kërkesa e PD për heqjen e mandatit të deputetit Rakip Suli
Këshilli i Rregullores dhe Mandateve ka rrëzuar kërkesën e partisë Demokratike për heqjen e Mandatit të Deputetit Socialist Rakip Suli, i cili sipas opozitës ka përfituar para nga fondet publike.Pas 3 orë diskutimesh ishte deputeti i PD Arben Ristani ai që bëri publik vendimin, ndërsa akuzoi mazhorancën për mbrojtje të Deputetëve që shkelin ligjin:"Këtë rast duan t'ia fshehin Gjykatës Kushtetuese, pra të mos e çojnë për t'a shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese. Ky mendim i tyre vjen menjëherë pasi ka tashmë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpjegon qartë që Parlamenti nuk mund t'ia fshehi Gjykatës Kushtetuese raste të tilla."Më herët gjatë mbledhjes Partia Demokratike në argumentet e saj u shpreh e bindur se djali i Deputetit Suli ka përfituar 180 milion lekë nga taksapaguesit Shqiptar nëpërmjet një godine të lëshuar me qera. Eduart Halimi: "Dy fenomene ka këto 25 vjet në Parlament: I Pari Parlamenti i mbushur me bandidë dhe të gjithë e kanë kuptuar. E dyta Për herë të parë po kthehet në fenomen marrja e parave publike."Por Avokati Mbrojtës i Deputetit Suli, Aranit Roshi tha se klienti i tij ka hequr dorë nga kjo pronë përpara se të mandatohej si deputet ndaj tha se kërkesa e PD është e pabazuar në ligj:"Përpara se zoti Rakip Suli të bëhej deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka bërë kalimin e kuotave që ai zotëron në shoqërinë "Aurora Group sh.p.k" me një kontratë noteriale durimi duke u "zhveshur" nga cilësia e ortakut të shoqërisë përpara marrjes së mandatit të deputetit."Ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës e quajtën retorikë politike kërkesën e Demokratëve.Fatmir Xhafaj: "Para çdo qytetari të këtij vendi të respektojmë ne të parët Kushtetutën dhe ligjet e Shtetit dhe të arsyetojmë mbi Kushtetutë dhe mbi ligjet e Shtetit. Në rastin konkret nuk kemi shkelje të nenit 70 të Kushtetutës dhe as shkelje të nenit 28 të ligjit për konfliktin e interest. Nuk lind hapësirë për interpretime të tjera, përveçse interpretime politike si ato që bëri sot opozita."Vendimi që pengon dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese pritet t'i kalojë Parlamentit për miratim./Oranews.tv/