Projekti i Ramës për bujqësinë: Për 100 ha fermë, do të japim 1 mln $ në 5 vjet
Kryeministri Edi Rama ishte në njësinë administrative të Krutje në Lushnje ku pa nga afër zbatimin e programit më të ri të qeverisë Agro100 që synon shtimin e serave me qëllim rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare. Rama tha se fermerët do përfitojnë lehtësira për kreditim me interesa të zbutura nga bankat nga Fondi Kombëtar i Garancisë në bujqësi.Kryeministri Edi Rama ishte në Krutje të Lushnjes ku pa nga afër zbatimin e programit më të ri qeveritar Agro100, që synon mbështetjen e eksporteve të produkteve shqiptare. Rama vizitoi ambientet e një sere që ka përfituar nga paketa e re financiare, e cila ofron mbështetje për ata investitorë që do të ndërtojnë sera nga 10 deri në 100 hektarë.Edi Rama: "Në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave dhe kjo ka sjellë një impakt të menjëhershëm në eksport. Viti 2015 ka pasur një bum të eksporteve dhe një zhvillim shumë pozitiv edhe për tregun e brendshëm. Por tani duam të çojmë më përpara procesin e mbështetjes direkte. Për 10 ha sera ne do të japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për 100 ha fermë, do të japim 1 milion dollarë në 5 vjet, direkte".Rama tha se Fondi Kombëtar i Garancisë në bujqësi prej 300 milionë euro do të ofrojë mbështetje për kreditim nga bankat.Edi Rama: "Tani të gjithë kanë në dispozicion Fondin e Garancisë shtetërore për të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë, me interesa shumë më të ulëta sesa ato të zakonshme dhe e gjitha kjo i dedikohet bujqësisë. Janë 300 milion euro potencialisht që mund të shfrytëzohen nga të gjithë prodhuesit, agropërpunuesit, apo të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë sektor. Nuk do të jetë fermeri apo prodhuesi që do të shkojë tek banka, por do të jetë AZHBR që do të aplikojë për t'ia lehtësuar plotësisht fermerit".I shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kryeministri pa nga afër rehabilitimi i Digës së Murriz-Thanës që garanton furnizimin me ujë të fushave të Divjakës, gjithashtu Rama inspektoi dhe punimet për ndërtimin e rrugës 2.6 km Kamçisht-Ngurrëz e Vogël, investim 42 milionë lekë që ndërlidh zonën bujqësore me rrjetin rrugor rajonal./Oranews.tv/