Çertifikata martese kundrejt ryshfetit? Konsullja: Nuk e mbaj mend rastin

Pas pezullimit nga ministria e Jashtme për shkak të një video të transmetuar në një emision televiziv, ka reaguar konsullja e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj.Çobanaj, e akuzuara se lëshonte çertifikata martese kundrejt rryshfetit, thotë se rastin e denoncuar, nuk e kujton, por në situate të ngjashme veprimi është bërë për qëllime humanitare."Personalisht nuk e mbaj mënd rastin në fjalë, por kur më është kërkuar të firmos, mund të më jetë parashtruar që vajza është në gjakmarrje dhe nuk del dot nga shtëpia, ose se po persekutohet nga një i dashur shqiptar, apo është në kushte spitalore, e shumë arsye të tjera. Autorëve të linçimit tim publik, dua t’iu them se dokumenti është i regjistruar rregullisht në regjistrat e konsullatës. Nëse e kam lëshuar këtë dokument për arsyet humanitare që më kanë paraqitur, kjo nuk do të thotë se kam shkelur ligjin, pasi edhe nëse procedura u përshpejtua, verifikimet për rregullsinë e shtetasve (nëse kanë qenë beqarë apo jo) do të bëheshin më pas, dhe në rast parregullsie të tyre, leja do të anullohej dhe do të lajmëroheshin organet përkatëse", thotë konsullja.Ajo thotë se xhirimi në fjalë paraqet paratë që i paguhen një personi që as nuk kishte kontakt me të, por nëpërmjet një sekseri i ka çuar dokumetet tek ajo.Çobanaj thotë se këto dhe arsyetime të tjera do t'i shprehë edhe në komisionit disiplinor të Ministrisë së Jashtme.Sa i përket kritikave që ka adresuar për konsullatën shqiptare ne Milano, deputeti Eduard Nodcaj, Çobajan thotë se akuzat vijnë për shkak të refuzimit që ajo ka bërë ndaj kërkesave për favore personale nga ana e deputetit.Luljeta Çobanaj është e diplomuar në inxhinieri ndërtimi dhe  jeton prej 19 vitesh në Itali. Ajo ka ndihmuar në hapjen e Konsulltatës në Milano, në vitin 2000, ku fillimisht ka punuar si financiare, dhe më vonë pas një shkëputje është rikthyer fillimisht në pozicionin e konsulles më më vonë të kryekonsulles.