“Banka e Shqipërisë shpëtoi bankat nga kriza financiare”
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore (BB) për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Cyrill Muller viziton për herë të parë Shqipërinë ku pritet të takojë drejtuesit kryesor të shtetit. Si parin e takimeve, ai e nisi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku merrnin pjesë edhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj banke. Gjatë bisedës, Sejko u ndal në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare.Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori theksoi se sot ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, duke lënë pas edhe një vit të vështirë që tregoi aftësinë e tij për të përballuar situata të stresuara financiare, siç ishte rasti i krizës greke.“Dëshmi e suksesit të këtij sistemi është edhe besimi që tregojnë investitorët e huaj me interesin e tyre për t’u bërë pjesë e tij. Në këtë drejtim, prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, reduktimit të kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar”, ka theksuar Sejko.Gjatë takimit, pjesë e diskutimeve ishte dhe zhvillimi i institucioneve financiare jobankare, të cilat po rrisin gradualisht peshën e tyre në sistemin financiar shqiptar. Duke vlerësuar rolin e këtyre institucioneve në diversifikimin dhe zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri, Banka e Shqipërisë ka pasur në fokus të punës së saj forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre në drejtim të qeverisjes dhe kontrollit të brendshëm.Nga ana e tij, Muller vlerësoi politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, të cilat sipas tij, kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, nëpërmjet asistencës teknike për zhvillimin e mëtejshëm institucional të saj si autoriteti rregullator dhe mbikëqyrës i sistemit bankar shqiptar. /Ora News/