Meta: Vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik
Prioriteti i LSI-së është punësimi dhe hapja e vendeve të reja të punës, duke krijuar zona industriale. Kështu është shprehur Kryetari i LSI-së, Ilir Meta gjatë një bashkëbisedimi me banorë të komunës Bërxullë në Tiranë.Lideri i LSI-së theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet te nxitja e investimeve dhe favorizimi i bizneseve për hapjen e vendeve të reja pune.“Prioriteti ynë është punësimi, të hapim vende pune, të krijojmë zona industriale, që t’ia bësh gati infrastrukturën atij investitorit. Në qoftë se do të rrisim punësimin duhet të shikojmë se si do të nxisim investimet dhe si do të favorizojmë ata që do të hapin vende të reja pune”, tha Meta.Duke folur për situatën politike në vend Kryetari i LSI-së tha se vihet re një mbingopje e PD-së për pushtet në dëm të pavarësisë së institucioneve dhe se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik dhe për një ndarje të re të pushteteve. Meta theksoi se përqendrimi i gjithë pushteteve në një dorë nuk është i shëndetshëm për demokracinë.“Kohët e fundit sidomos pas procesit për zgjedhjen e presidentit po të vëmë re ka një mbingopje me pushtet të PD-së në dëm të pavarësisë së institucioneve. Presidenti është i PD-së, edhe gjithë institucionet e tjera që u zgjodhën me propozim të presidenti të ri janë të PD-së. Përqendrimi i gjithë pushteteve në një dorë nuk është i shëndetshëm për demokracinë, ndaj edhe ka shqetësime dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sepse kjo nuk i shërben demokracisë, por kur nuk i shërben demokracisë nuk i shërben as ekonomisë së Shqipërisë e as ekonomisë suaj familjare. Nëse nuk funksionon demokracia nuk funksionojnë as elementët e tjerë të një shoqërie. Ndaj vendi ka një nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një ndarje të re të pushteteve”, shtoi Meta.Përsa i përket çështjes së tre ligjeve lideri i LSI-së u shpreh se propozimi i bërë prej tij pak ditë më parë nuk është pranuar nga PD-ja dhe se ky qëndrim ka nxjerrë në pah një mungesë serioziteti nga mazhoranca për çështjen e integrimit.“Ditët e fundit unë bëra një propozim drejtuar kryetarit të PD-së dhe kryetarit të PS-së dhe ky propozim i imi ishte që t’i miratojmë këto tre ligje tani dhe këto të hynin në fuqi në shtator me parlamentin e ri në mënyrë që këto të konsiderohen të përfunduara në raport me partnerët tanë dhe ndërkohë zbatimi të fillojë me kuvendin e ri. Ndërkohë që ne kërkojmë që këto tre ligje të votohen që sot, vjen përgjigja nga PD-ja që këto ligje do t’i votojmë në shtator me referendum. Nuk ka sens, sepse të bësh një referendum për një çështje që mund të zgjidhet në parlament dhe ekziston tani mundësia dhe vullneti, duhet vetëm shpirti i kompromisit dhe i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit, do të thotë që nuk e ke pasur seriozitetin deri tani çështjen e integrimit. Pse duhet të harxhojë shteti miliona euro për të bërë referendum në të gjithë Shqipërinë kur asnjë nuk e kundërshton çështjen e miratimit të tre ligjeve”, u shpreh ai.Ndërkaq, gjatë këtij bashkëbisedimi u shpërndanë edhe kartat e anëtarësisë për 130 anëtarë të rinj të LSI-së në Komunën Bërxullë.