Malaj jashtë listave: Vendim individual i Ramës, nuk më zhduk askush nga politika

Tashmë s’ka asnjë hamendje, një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Socialiste, Arben Malaj është lënë jashtë listës së PS për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit. I gjendur përballë këtij fakti, edhe pse jo shumë surprizë për të, Malaj ka vendosur të kandidojë si deputet i pavarur në Vlorë.Në një komunikim për mediat, fill pas daljes nga mbledhja e Kryesisë së Partise Socialiste Malaj tha se vendimi për ta lënë jashtë listës ishte tërësisht individual i lidershipit Rama."Ky nuk është fundi i karrierës sime. Falënderoj të gjithë përfaqësuesit politikë të qarkut të Vlorës. Nuk kam asnjë problem individual me Ramën. E kam ditur që në momentet e para që lufta që kam bërë për të mos ndryshuar Kushtetutën në mënyrë arrogante, e kam ditur që kur i kam kërkuar PS-së të mos bllokonte funksionimin e Kuvendit. Kur kam nisur një proces për modernizimin e PS, e kam ditur që do kem një çmim për këtë. Nuk më zhduk dot asnjeri nga politika. Vendimi është individual i Ramës. Unë nuk mund të tërhiqem nga detyrimi për t’i shërbyer vendit tim. Njëra nga këto është t’i shërbej si kandidat i pavarur. Shumë nga ata që Rama i promovon me parafabrikat, nuk kanë asnjë angazhim dhe kontribut, por thjeshtë që janë të nënshkruar, kishin kohë që dilnin garant se do ta zhduknin Malajn nga politika”-tha ai.Zoti Malaj paralajmëroi një konferencë për shtyp paraditen e nesërme në orën 12:00, ku do të sqarojë të gjithë qëndrimet e tij.Po ashtu jashtë listës së PS-së është lënë edhe një tjetër figurë e njohur e PS-së, Arben Isaraj.