Çmimet gjatë prillit, raporti i INSTAT: Kanë pësuar ulje të lehtë
Inflacioni ruajti një ecuri të qëndrueshme edhe për muajin Prill. Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, inflacioni vjetor pësoi një rënie të lehtë në 2.3%, nga 2.4% që ishte në muajin Mars. Edhe në krahasimin e thjeshtë mujor, çmimet pësuan një rënie modeste me 0.1%. Për t’u përmendur gjatë muajit Prill janë ulja e indeksit të çmimit të ushqimeve dhe rritja e indeksit të çmimit të karburanteve.“Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2013, arriti 116.6 përqind kundrejt muajit Dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.1 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin Prill është 2.3 përqind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.6 përqind.Krahasuar me muajin e mëparshëm: Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 0.4 përqind. Ulja më e madhe prej 2.4 përqind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecave me 48.3 përqind, patëllxhaneve me 14.3 përqind, qepëve të njoma me 11.2 përqind, domateve me 5.3 përqind etj. Çmimet në nëngrupin “fruta” shënuan një rritje prej 1.7 përqind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të dardhëve me 9.4 përqind, limonave me 6.0 përqind, mollëve me 9.1 përqind, portokallëve me 1.2 përqind, etj.Ulje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim uljet në nëngrupin “qumësht, djath e vezë” me 0.3 përqind, “vajra dhe yndyrna” me 0.3 përqind, “sheqer e ëmbëlsira” me 0.1 përqind, etj. Indeksi i grupit “Pije alkolike dhe duhan” ka shënuar një ulje 0.1 përqind, ulje kjo që ka ardhur si rezultat i uljes së çmimit të pijeve alkolike me 0.3 përqind.Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.1 përqind. Indeksi i grupit “Transporti” ka shënuar një rritje prej 0.4 përqind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.5 përqind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 0.1 përqind. Indeksi i grupit “Hotele, kafene dhe restorante” ka shënuar një ritje prej 0.1 përqind, rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve në nëngrupin “shërbime akomodimi dhe “kafe – restorante” me 0.1 përqind” theksoi INSTAT në një deklaratë për mediat.Në daljen e tij të fundit publike, Guvernatori Fullani tha se, me një probabilitet 90%, gjatë katër tremujorëve të ardhshëm inflacioni do të jetë në intervalin 0.6% - 3.6%. Matjet dhe projeksionet e inflacionit për të ardhmen mbështesin vijimin e një politike monetare lehtësuese edhe gjatë vitit 2013.