Kurbin, e fyenin prej kohësh, i moshuari i vret në pritë
"Nuk mund të duroja më fyerjet, ndaj edhe i vrara dy fqinjët e mi". Ky është rrëfimi i 72 vjeçarit Ndue Gjini, autorit të dyshuar të vrasjes së dyfishtë të regjistruar mbrëmjen e djeshme në Fushë Kuqe të Kurbinit. Viktimat ishin Luigj dhe Dedë Vuka përkatësisht 50 dhe 31 vjeç, me lidhje gjaku, xhaxha dhe nip.Ata u qëlluan nga 72-vjeçari me breshëri automatiku ndërsa udhëtonin me një mjet furgon. I moshuari ka zbrazur dy karrikatorë kallashnikovi ndaj fqinjëve, duke nxjerrë në këtë formë mërinë që kishte krijuar ndaj tyre.Pas vrasjes mësohet se 72- vjeçari Gjini është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është kthyer në banesën e tij, ku edhe ka pritur arrestimin nga uniformat blu të Kurbinit.Mësohet se autori i ngjarjes dhe dy viktimat kishin konflikte të vazhdueshme. 72-vjeçari ka thënë se Luigj dhe Dede Vuka e fyenin në vazhdimësi, pasi i moshuari jetonte i vetëm në fshatin Fushë Kuqe, ndërsa fëmijët e tij në emigracion.Një debat i tillë kishte ndodhur edhe mbrëmjen e djeshme, para se të ndodhte krimi i dyfishtë. Luigj dhe Dede Vuka e kishin thumbuar sërish të moshuarin, duke bërë që ai të merrte armën e zjarrit dhe tu dilte në pritë fqinjëve.Policia e Kurbinit, tha se ka grumbulluar provat materiale dhe ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.