Momente ankthi në selitë e dy partive, PD-PS gati emrat e kandidatëve
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të publikojnë sot listat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Rreth orës 20:00 ka nisur mbledhja me dyer te mbyllura e Kryesisë së PS dhe me një diferencë prej 1 ore ka nisur ajo e PD edhe pse ishte paraparë që të mbidhej në 18:00, prej ku do dalin dhe listat përfundimtare me deputetët garues për 12 qarqet e vendit.Situata në të dy kampet ka qenë e nxehtë, pasi disa prej deputetëve aktualë nuk do të jenë më në listën e sigurtë. Kjo ka sjellë pakënaqësi, të cilat janë shprehur hapur prej deputetëve në rrjetet e tyre sociale.Një ditë më parë, Marko Bello, deputet prej 12 vitesh ka shkruar në facebook se nuk do të jetë më deputet.“Jam krenar se nga politika aktive nuk po më largon vota e qytetarëve, por kapriçoja e një tekanjozi, i cili, ata që populli i përzuri nga dera, po i fut nga oxhaku”, shkruan Bello në Facebook duke thumbuar kështu kryetarin Edi Rama.Pakënaqësi ka patur edhe në kampin blu, kjo edhe për faktin se në listat e PD do të garojnë edhe kryetarët e disa partive të vogla, si edhe tre ish-deputetë socialistë.Ai që deklaroi publikisht largimin, një ditë më parë ishte anëtari i Këshillit Kombëtar, Besnik Jaku, që akuzoi lidershipin e Partisë Demokratike për mosfunksionim të strukturave drejtuese të partisë, marrjen peng të saj nga një grup i caktuar njerëzish dhe mostransparencë në vendimet politike, duke përfshirë edhe listat e zgjedhësve.Në orën 24: 00 skadon edhe afati për dorëzimin e listave pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.