Benfika mund Fenerbahçen dhe kalon në finalen e Europa Legue

Ndeshja tjetër në "Da Luz" të Lisbonës, mes Benfikës vendase dhe Fenerbahçes, ka qenë më emocionuese. Shkak është bërë goli i shpejtë i Gaitan që kaloi në avantazh vendasit, duke barazuar rezultatin e sfidës së parë të përfunduar 1-0 për ekipin turk. Por emocionet shtohen edhe më shumë nga një penallti e transformuar saktësisht nga Kajt në minutën e 23-të që kalon kualifikimin plotësisht në favor të Fenerbahçes, me Benfikën që tashmë i duhet të shënojë dy herë për të arritur në finalen e Europa Legue. Portugezët insistojnë dhe ia arrijnë qëllimit falë paraguaianit Kardozo, padyshim sulmuesit më të mirë të tyre, pasi ai arrin të realizojë në minutat 35 dhe 66, për t'i dhënë kualifikimin skuadrës së tij.Në finale, Çelsi do të ketë mundësinë t'i bashkohet Barcelonës, Ajaks, Juventusit dhe Bajern Mynih, të cilat janë skuadrat e vetme që kanë fituar Ligën e Kampioneve, Europa League (që quhej Kupa UEFA) dhe Kupën e Kupave. Ndërsa Benfika do të mundohet të bëjë të vetin trofeun që i shpëtoi nga duart 30 vite më parë përballë Anderlehtit.