Rama: Dështim me infrastrukturën, Berisha propagandë boshe me rrugët

Propaganda boshe e kryeministrit për 10.400 km rrugë të ndërtuara zhvlerësohet akoma pa dalë mirë nga kryeqyteti. Kështu ka konstatuar kreu i selisë rozë, Edi Rama, ndërsa ka parë nga afër aksin rrugor në daljen lindore të Tiranës, aty ku nis rruga për në Parkun e Dajtit, e ku qytetarëve u duhet të kalojnë një kalvar të vërtetë në një rrugë të shkatërruar.Duke denoncuar edhe një herë mashtrimin e madh të qeverisë me rrugët kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh:“Qeveria thotë se ka bërë 10400 kilometra rrugë. Kjo është rruga nacionale që lidh kryeqytetin me parkun kombëtar të Dajtit dhe në këtë rrugë zvarriten dhjetëra mijëra qytetarë, qoftë ata që vijnë këtu sepse banojnë këtu, qoftë ata që kalojnë këtu sepse duan të shijojnë parkun kombëtar. Kjo është shprehja më kuptimplotë e faktit se sa rrugë janë ndërtuar në të vërtetë dhe se ku kanë shkuar paratë e popullit shqiptar. Ja kjo rrugë dhe shumë të tjera. Rrugët në Shqipëri kanë mbetur rrugëve dhe Shqipëria ka mbetur rrugëve, ndaj në 23 qershor këta duhet të hapin rrugë”.Në vijim të denoncimeve për mashtrimet e qeverisë, Partia Socialiste prej një jave ka publikuar tabelat përmbledhëse që vërtetojnë faktin se qeveria e kryeministrit në ikje ka bërë gjithsej 1515 km rrugë.Gjatë inspektimit të rrugës, kryetari i PS, Edi Rama shoqërohej nga anëtarët e skuadrës së programit për një Rilindje Shqiptare, Artan Lame dhe Auron Tare, si dhe nga deputetët Besnik Baraj e Xhemal Qefalia.