Juve përgatit dhuratën e Contes si shpërblim për fitmin e titullit

Juventusit i mbetet për të siguruar vetëm 1 pikë që të fitojë titullin e dytë radhazi në Itali. Duke qenë në këto pozita, drejtuesit e skuadrës bardhezi mendojnë se tashmë është koha më shumë për të menduar për merkaton e ardhshme, sesa për fitimin e titullit, pasi ky i fundit është pothuajse një kapitull i mbyllur. Konte kërkon që sezonin tjetër skuadra e tij të bëjë një përfaqësim dinjitoz edhe në kupat e Europës, dhe për të arritur një gjë të tillë numrit 1 të pankinës së "Zonjës" i duhen përforcime të cilat shihen si të domosdoshme në repartin e sulmit, aty ku ekipi i tij ka shfaqur shumë probleme. Lojtarët për të cilët shkruhet dhe flitet më shumë nga mediat për kalim te Juventusi, janë futbollistët më të paguar. Njëri prej tyre është edhe Ibrahimoviç, për të cilin thuhet se mund të rikthehet tek Juventusi.Sipas “Sport Mediaset”, skuadra e Juventusit është e gatshme ti ofrojë lojtarit një kontratë deri në vitin 2016 prej 8 mln euro në sezon + bonuseve të cilat lidhen me paraqtijen e tij në skuadër. Për sa i përket sulmit në listën e bardhezinjve vazhdojnë të qarkullojnë emra si Suares i Liverpulit dhe Sançes i Barcelonës, pa harruar këtu edhe Benzema e Higuain të Real Madrid. Konte dëshiron me çdo kushtë njërin prej tyre në skuadër, si dhuratë për fitmin e titullit të dytë radhazi që kur ai mori drejtimin e "Zonjës së Vjetër".Përsa i përket mesfushës, pritet që në verë të mbërrijë Verratti, pasi Raiola po tenton të kryejë një tjetër lëvizje të madhe. Merkato do të kompletohet me blerjen e një anësori të djathtë dhe të një mesfushori për pankinën, por të gatshëm për lojë siç mund të jetë Andrea Poli, i cili premton shumë për të ardhmen. Buxheti i Juves për merkaton pas fitimit të titullit kampion duket se do të rritet dhe objektivat e merkatos janë mëse të realizueshme, pasi nga grupi pritet të largohen lojtarë  si Matri, Quagliarella, De Çelie e mbase edhe Giovinko, të cilët do të sjellin të ardhura të tjera neto për të përforcuar ekipin.