Bale, më i miri në Premier League
Futbollisti i Totenhem, Garet Bale, u bë lojtari i tretë që fiton njëkohësisht çmimin "Lojtari i Vitit" dhe "Lojtari i ri më i mirë", pasi triumfoi në të dy këto kategori në votimin e bërë nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë Anglezë, gjatë ditës së djeshme.Futbollisti 23 vjeçar Uellsian, i cili ka fituar "Lojtari i Vitit" edhe dy sezone më parë, ka shënuar 19 gola në këtë kampionat, duke qenë aktualisht i treti në renditjen e golashënuesve pas dy bomberave të mirëfilltë si Van Persi me 25 gola dhe Suarez me 23. Në votimin e djeshëm ai mundi pikërisht këta dy lojtarë, ndërsa kandidatë të tjerë ishin Majkëll Kerrik, Eden Hazard e Huan Mata.Beil i bashkohet një liste emrash të famshëm që e kanë fituar këtë çmim prestigjioz dy herë, ku bëjnë pjesë Kristiano Ronaldo, Tierri Henri, Alan Shirer dhe Mark Hjuxhs. Ronaldo në vitin 2007 dhe Endi Grei në vitin 1977 janë dy lojtarët e tjerët që kanë fituar të dy trofetë në të njëjtin vit.Gjatë ceremonisë së djeshme u publikua edhe "Skuadra e Vitit" në kampionatin anglez, ku dominoi skuadra e Mançester Junajtid me katër lojtarë në përbërjen e saj: David De Gea (Mançester Junajtid), Pablo Zabaleta (Mançester Siti), Rio Ferdinand (Mançester Junajtid), Jan Vertonghen (Totenhem), Leiton Beins (Everton), Huan Mata (Çelsi), Majkëll Kerrik (Mançester Junajtid), Eden Hazard (Çelsi), Garet Beil (Totenhem), Luis Suarez (Liverpul) dhe Robin Van Persi (Mançester Junajtid).