Ulqini e Hafizi “rikthehen” në PS, Rama: Reflektova, janë vlerë e shtuar e Rilindjes
“Katër vjet më parë, kur nuk u bëra më pjesë e përfaqësimit politik të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht nga emocionet që përjetova, për asnjë çast unë nuk vura në dyshim qenien time si pjesë e familjes politike, ku kam kontribuar e kontribuoj që në ditën e parë të themelimit të saj. Kjo, sepse unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj fort në vetë thelbin e ekzistencës së partive politike në demokracitë parlamentare.
Unë besoj se bashkimi dhe angazhimi vullnetar në një parti politike rreth një ideje, çështje, kauze apo alternative është përtej një interesi vetjak, sado i rëndësishëm qoftë ai, sepse është vetëm në këtë mënyrë qytetarët e angazhuar politikisht mund të kontribuojnë që përmes zgjedhjeve elektorale t’i realizojnë në praktikë këto ide, çështje, kauza apo alternativa duke i shërbyer një interesi më të madh, interesit publik. Unë besoj se sot Shqipëria e ka të domosdoshme ndryshimin, që vjen përmes rrotacionit politik” u shpreh Ulqini.
“Lidhja ime me PS-në tashmë është e gjatë në kohë dhe shumë e pasur në aktivitet qoftë politik, qoftë organizativ në bashkëpunim me kryetarin, me aktorët kryesorë të Partisë Socialiste dhe me gjithë militantët jo vetëm në Shkodër dhe në Tiranë, por anembanë vendit. Nisur nga njohje shumë e detajuar desha të theksoj dy gjëra:
E çmoj pa masë këtë strukturë gjigande që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndihem shumë e nderuar për këtë ftesë që të jem pjesëtare në Skuadrën për Rilindjen Shqiptare, në këtë transformim shumë historik të vendit tonë, transformim që me meritë e ka marrë emrin Rilindje e Shqipërisë. E, veçanërisht, meqë është fjala për qytetin e Shkodrës, një qytet ku unë jam lindur dhe rritur dhe natyrshëm e dua dhe natyrshëm kam detyrime për një përfaqësim sa më dinjitoz të këtij qyteti në parlamentin shqiptar” tha Hafizi.
Me Hafizin dhe Ulqinin, Rama theu traditën e e prezantimit të kandidatëve të rinj ditëve të diela, kjo ndoshta sepse koha shrëngon, pasi në 6 maj lista e kandidatëve duhet të depozitohet në KQZ.