Nis hetimi për incidentin e Vjenës, Komisioni kërkon ballafaqimin mes Ramës e Cekës
Mazhoranca zhvilloi seancën e parë të “gjyqit” ndaj kryesocialistit Edi Rama për incidentin e 24 prillit në Vjenë me diplomatin shqiptar Egin Ceka, në mungesë të deputetëve të opozitës.Komisioni hetimor parlamentar i miratuar vetëm një ditë më parë me votat e deputetëve të mazhorancës dhe të larguarve në PS mbajti pasditen e sotme mbledhjen e parë nën kryesimin e deputetit demokrat Fatbardh Kadilli ku u miratua drafti i rregullores së Komisionit, me shumicë votash u zgjodh sekretarja e Komisionit zonja. Paulina Hoti, ndërsa u prezantua dhe plani i punës dhe afatet kohore për përfundimin e plotë të raportit hetimor.Gjatë fjalës së tij kreu i Komisionit, Fatbardh Kadilli tha se ngjarja i kapërcen ndjeshëm kufinjtë e një incidenti, pasi sipas tij, është cenuar dinjiteti jo vetëm i një personi, por i çdo shqiptari, jo i një diplomati, por i shërbimit tonë diplomatik, është cenuar dinjiteti i Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar.Duke iu referuar mungesës së deputetëve opozitarë, ai deklaroi se Komision ka të gjithë vullnetin e duhur, që nëpërmjet këtij hetimi të paanshëm, serioz dhe publik tu dëshmojë shqiptarëve asgjë më shumë se të vërtetën e Edi Ramës.“Opozita nuk ka dërguar përfaqësues të saj në këtë komision. Kam përgjegjshëmëri që me punën e këtij komisioni të adresojmë edhe qëndrimet e fshehura publikisht edhe nga opozita rreth asaj që ndodhi në akademinë diplomatike të Vjenës. Siguroj Ramën që kemi vullnet t’ju dëshmojmë shqiptarëve të vërtetën dhe asgjë më shumë”, tha ai.Ndërsa prezantoi planin e punës, Kadilli tha se hetimi i plotë përfshin seanca dëgjimore me persona të përfshirë, që kanë dijeni për ngjarjen, me persona dëshmia e të cilëve vlerësohet e rëndësishme nga komisioni, marrja dhe administrimi i dokumentave që sjellin informacione të vlefshme, dhe deklaratat e lëshuara nga individë të përfshirë në këtë ngjarje.Gjatë mbledhjes u hartua edhe lista e personave të cilët do të ftohen për dhënë dëshmitë e tyre, ndërsa mbledhja e radhës u vendos të thirret të enjten e kësaj jave, menjëherë pas seancës parlamentare.