“100 arsye kundër Berishës”, Hysi: Për ta drejtësia mall, të varfrit nuk i qasen dot

Partia Socialiste ka dononcuar degradimin e sistemit të drejtësisë, si një ndër 100 dështimet e kryeministrit Berisha dhe një ndër 100 arsyet që shqiptarët të mos e votojnë me 23 qershor. Në një deklaratë për mediat, deputetja socialiste Vasilika Hysi tha se sot drejtësia shqiptare është një mall që blihet e shitet nga kush e paguan më shtrenjtë.“23 qershori është dita kur shqiptarët me votë të bashkuar do të largojnë kryeministrin e rrënimit e 100 dështimeve, duke zgjedhur alternativën e Rilindjes. Ndër 100 dështimet e Sali Berishës, sot do veçojmë dëmin që ky njeri ka shkaktuar në drejtësi. Sali Berisha dështoi me drejtësinë sepse sot drejtësia shqiptare është jo vetëm e munguar, e mohuar por dhe e korruptuar.Drejtësia shqiptare sot është një mall që blihet e shitet nga kush e paguan më shtrenjtë duke bërë të pamundur që të gjithë shtetasit të jenë të barabarta para ligjit; duke bërë të pamundur që drejtësia të flasë për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në kufijtë e mbijetesës.Sot çdo shqiptari, të cilit i duhet të mbrojë të drejtat e tij kushtetuese, ky shtet i kërkon të paguajë tarifa të papërballueshme që në tentativën e parë të kërkimit të drejtësisë. Tarifa bazë, vetëm për shqyrtimin e çështjes, është 120 mijë lekë! Shuma prej 120 mijë lekësh është vetëm fillimi!Kësaj tarife i duhet shtuar 3% e vlerës të dëmshpërblimit të kërkuar në padi, dhe atëherë kur shkaktar i dëmit është vetë shteti. Në çdo 1 milion lekë dëmshpërblim si pasojë e dëmit të shkaktuar me padrejtësi, 120 mijë lekëshit i duhen shtuar 30 mijë lekë. Të mos harrojmë këtu dhe shpenzimet e tjera gjyqësore, siç është dhe tarifa e ekspertëve, e cila varion nga 40 mijë lekë deri në 1 milionë lekë për çdo ekspertizë.Për Shqipërinë reale por edhe për Shqipërinë e shifrave virtuale të Berishës, këto tarifa e bëjnë të pamundur aksesin në drejtësi” deklaroi Hysi.Deputetja Hysi solli më tej në vëmendje se edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga miratimi i ligjit “Për Ndihmën Juridike”, deri më sot rastet në të cilat është përfituar ndihma juridike shtetërore janë tejet të pakta.“Sot në Shqipërinë reale por dhe në Shqipërinë e shifrave të Saliut, shumica dërrmuese e shqiptarëve është e përjashtuar nga aksesi në drejtësi ashtu siç është e përjashtuar nga kujdesi shëndetësor.Ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian apo dhe vendet fqinje në rajon, ka mekanizma ligjore për të përjashtuar nga pagesa e kësaj tarife personat që janë në pamundësi financiare, në Shqipëri nuk parashikohet që të përjashtohen nga detyrimi të gjithë ata që në mënyrë të përpjesëtuar nuk janë të aftë të paguajnë tarifat gjyqësore.Edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga miratimi i ligjit “Për Ndihmën Juridike”, deri më sot rastet në të cilat është përfituar ndihma juridike shtetërore janë tejet të pakta.Të pakta janë dhe rastet e përfitimit të kësaj ndihme dhe nga personat që trajtohen me ndihmë ekonomike apo viktimat e dhunës në familje, si pasojë e mungesës së buxhetit për të mbuluar nevojat për burimet njerëzore dhe materiale, mungesë e infrastrukturës dhe aktesh nënligjore.Në sistemin e drejtësisë të padrejtë të Sali Berishës ka konfuzion mes kompetencave për përjashtim nga tarifat gjyqësore. Ndërkohë që Kodi i Procedurës Civile ia jep këtë kompetencë gjyqtarit (neni 158/a), në ligjin e ri kjo kompetencë i jepet Komisionerit për Ndihmë Ligjore.Çdo do të ndodhë për ato raste kur ky komision mund të refuzojë përjashtimin nga pagesa e tarifës? Do të duhet vallë që personat e interesuar ti drejtohen gjykatës, por me çfarë lekësh? Do të duhet të paguajnë që të dëgjohen nga një gjykatë për të vendosur nëse duhet të paguajnë ose jo? Kjo është thjesht absurde” tha më tej ajo.Hysi garantoi se Partia Socialiste pas 23 qershorit do të mundësojë akses të plotë në drejtësi për të gjithë shqiptarët duke hequr çdo pengesë ligjore apo administrative e duke garantuar kështu barazinë e plotë përpara ligjit të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.“Do të përjashtohen nga kjo barrë e rëndë të gjitha kategoritë në nevojë dhe në pamundësi për t’u përballur me kostot e larta të drejtësisë aktuale të Sali Berishës. Do të përjashtohen nga pagesa për viktimat e dhunës në familje, viktimat e veprimeve të paligjshme të organeve shtetërore” përfundoi Hysi.