Berisha bashkëbisedim me gratë në Berat: Të angazhuar kundër dhunës në familje

Kryeministri Berisha apeloi sot për angazhimin total të vajzave e grave dhe i të gjithë shoqërisë, për të ngritur një opinion të fuqishëm kundër dhunës në familje.Këtë thirrje drejtuar shoqërisë shqiptare, Kryeministri Berisha e bëri gjatë një bashkëbisedimi në Berat, me përfaqësuese të mekanizmave të administratës lokale dhe shoqërisë civile, të angazhuara kundër dhunës në familje si punonjëse sociale, mjeke dhe infermiere, psikologe, përfaqësuese të pushtetit lokal dhe të shoqatave të ndryshme të fushës.“Në traditën tonë ka qenë i palëkundur respekti ndaj gruas. Por sot, dhuna në familje është bërë një problem serioz për shoqërinë tonë. Kjo kërkon guxim e kurajë. Statistikat e denoncimit të kësaj dhune janë gjithnjë e më shumë premtuese. Gra e vajza e denoncojnë dhunën, por duhet të bëjmë gjithçka për t’ju garantuar mbrojtjen dhe mbështetjen e duhur. Me dhunë nuk ndërtohet familja, por ndërtohet skllavëria. Dhuna është tipar i marrëdhënieve të skllavit me pronarin, por jo mes bashkëshortëve, vëllait e motrës, babit e vajzës. Ndaj për ne është e një rëndësie të jashtëzakonshme një angazhim total i vajzave dhe grave, për të ngritur një opinion të fuqishëm kundër dhunës. Në rast se kthehemi dhjetë vjet më parë, gjykatat hezitonin të dënonin se e quanin si një gjë brenda mureve të shtëpisë, por krimi në familje është forma më e shëmtuar e krimit. Ndaj sëbashku do të bëjmë gjithçka për një opinion të fuqishëm, por edhe të një seri masash. Forcimi që i bëmë Kodit Penal ka dhënë rezultate. Është shumëfishuar numri i denoncimeve dhe është rritur numri i dënimeve nga gjykatat. Paketa e dytë është edhe më e fuqishme. Ne do t’i qëndrojmë fuqishëm rreptësimit të ligjeve. Natyrisht, ato japin vetëm një pjesë të përgjigjes. Përgjigjen duhet t’ia japim ne, duke i marrë në mbrojte, duke u garantuar një jetë normale dhe ajo që nuk mund të jetojë brenda, do jetojë jashtë familjes. Nuk është familje, ajo që i torturon dhe i masakron gratë, përkundrazi, është ferr i vërtetë”deklaroi Berisha.Sëbashku - tha Kryeministri - duhet të bëjmë gjithçka për një opinion të fuqishëm, por edhe të një seri masash për goditjen e krimit në familje, për mbrojtjen e mbështetjen e grave dhe vajzave, për ngushtimin e diferencës në pagë midis burrit dhe gruas dhe për luftimin e pabarazisë gjinore në përgjithësi.“Në të gjitha qëndrimet tona, ne përpiqemi të operojmë fuqishëm në drejtim të ngushtimit të diferencës gjinore. Në vitin 2005, diferenca në pagë midis burrit dhe gruas ka qenë 36 përqind. Një diferencë absurde, e cila nuk vinte se ligji përcaktonte se për të njëjtën punë, gruaja paguhej 36 përqind më pak, por problemi ishte se punët e paguara i merrnin burrat dhe punët e papaguara u rezervoheshin grave. Ne e zbritëm këtë diferencë në 17.7 përqind. Ne bëmë ndërhyrje të fuqishme, duke rritur rrogat në sektorët e administratës që dominohen tërësisht nga gratë e vajzat. Ne bëmë ndërhyrje të fuqishme, duke vendosur sa më shumë gra e vajza në pozita vendimmarrëse. Edhe sektori privat ndoqi këtë trend. Është rritur disa herë numri i grave biznesmene, është rritur disa herë numri i grave menaxhere, presidente kompanish. Ne jemi përpjekur të pushtetojmë ekonomikisht gratë, nëpërmjet granteve dhe kredive tona dhe do ta vazhdojmë këtë përpjekje në mënyrë të pandërprerë” theksoi kreu i qeverisë.