Promovohet në Muzeun Historik Kombëtar albumi "Terrori Komunist në Shqipëri"

Një përmbledhje e krimeve të komunizmit deri në vitet '90, vjen në formën e një botimi me dokumenta dhe fotografi titulluar "Terrori Komunist në Shqipëri", promovimi i të cilit u organizua në Muzeun Historik Kombëtar. Në të ndodhen disa nga dëshmitë më rrënqethëse të krimeve të diktaturës.Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti tha se ky album e të tjerë si ky, botimet e shumta të dëshmive të masakrës në diktaturë që nënkupton një dhunë të përditshme atëherë por dhe qëndresën njerëzore, hapur dhe fshehtazi, fshehtas dhe me kryengritje, prania e të gjithve ne këtu, një pjesë të dalë nga burgjet apo familjarë të atyre që nuk janë më, unë që po flas, të gjithë së bashku, jemi një mbërritje, një sfidë kolektive, një triumf mbi ferrin e së kaluarës, që meriton shkëputje totale, por kujtesë. Të kujtojmë tmerrin që të mos ketë tmerre.Botimi i albumit “Terrori komunist në Shqipëri” në Muzeun Historik Kombëtar, tha ndër të tjera ministri Zhiti, është në vetvete jo vetëm tregues me anë të të cilit shihet qartë se ndërgjegja kombëtare dhe përgjegjësitë janë zgjuar dhe po veprojnë, por edhe që e kaluara jonë e përbashkët sot ringrihet në vlera të djeshme, që institucializohen gjithnjë e më shumë, teksa historia shfaqet në përmasat e saj reale, e paprekur dhe drithëruese, ashtu sic e njohëm dhe u përballëm me të.Ministri gjithashtu citoi edhe vëmendjen që MTKRS i ka kushtuar evidentimit dhe përurimit të vlerave më përfaqësuese të komunitetit të të përndjekurve politikë në Shqipëri. “ Krahas hapjes së pavionit të Genocidit në MHK, Ministria e Kulturës ka botuar një sërë veprash të autorëve të anatemuar nga diktatura komuniste si, Faik Konica,Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Musine Kokalari, Gjergj Bubani, Genc Leka, Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Arshi Pipa, Beti Pipa, Uran Butka, Fatos Lubonja, Uran Kalakula, etj, dhe do të shndërrojë në muze, burgun famëkeq të Spaçit”.“E shkuara nuk ndreqet dot, e tashmja po, në shërbim të të ardhmes. Së pari të mos ti lëmë vend mes nesh antinjeriut. Ne, personazhet e këtij albumi, bashkë me ata që nuk janë përfshirë dot në të, bashkëvuajtës të shumtë, i përkasin lirisë dhe demokracisë së këtij vendi, si pararojë e gjakosur, jemi themel i moralit dhe i qëndresës dhe pas kryengritjeve tona në burg, protestat e para të studentëve, revoltat qytetare morën nga dufi ynë, ne u bashkuam dhe, me t’u përmbysur diktatura komuniste, nisëm rrugën e demokracisë me ëndërr Europën dhe Amerikën. Ne jemi me ata që janë me ne, për një Shqipëri europiane, sa më larg fjalës uzurpuese dhe mashtruese “socializëm”, tha ndër të tjera Zhiti.Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, tha se ky botim përpiqet të vërtetojë edhe nëpërmjet dokumentave arkivorë se regjimi komunist shqiptar, një model i atij Stalinist, ka qenë ndër më të egrit në Evropë.