Nishani mbi palët: Jo retorikave, vota në bazë principesh e jo interesash momenti
Kur kanë mbetur më pak se dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, Presidenti Nishani ka ftuar elitën shqiptare të jetë më aktive për të luajtur rolin e tyre në këtë proçes zgjedhor. Ndërsa theksoi se ky moment më tepër se kujdo i përket qytetarit, Nishani gjatë një bashkëbisedimi me Rektorë të Universiteteve publike dhe studentë të Doktoraturës në Universitetet Europiane në ambjentet e Presidencës, i ftoi ata të promovojnë konceptin e ushtrimit të votës të udhëhequr nga principet dhe jo nga interesa të momentit.
“Ne mund të ndajmë sëbashku rëndësinë që ka një moment si zgjedhjet. Të gjitha zgjedhjet kanë një moment të veçantë, por tashmë jemi në prag të fushatës zyrtare elektorale, pasi një parafushatë ka nisur. Partitë janë gruapuar dhe secila tenton të shpalosë programin e saj, apo e tyre elektoral. Ndaj ju drejtohem ju si elita e shoqërisë, që me komentet tuaja duhet të udhëhiqni shoqërinë. Çdo zgjedhje ka një valë emocionale, por doza të tepruara, retorika agressive vetëm prodhojnë fanatikë dhe fanatizëm, që nuk janë të nevojshme për askënd. Në momentet e zgjedhjeve, forca të ndryshme kanë mundësi të shpalosin platformat për të marrë qeverisjen, por mbi të gjitha në themel të parimeve zgjedhjet janë vullnet i qytetarit. Një nga sfidat e shoqërisë shqiptare, por në radhë të parë pjesës së akademikëve, pedagogëve dhe studentëve, është që të fillojnë të promovojnë konceptin se ushtrimi i votës së qytetarëve të mos udhëhiqet nga interesat e momentit, por nga principet” tha ai.Në gjithë këtë proçes para dhe paszgjedhor, Presidenti u bëri thirrje qytetarëve të kërkojnë nga klasa politike më të mirën që meritojnë. Ndërsa u fokusua kryesisht në post-zgjedhjet, ai tha se përfundimi i zgjedhjeve sjell mazhorancën dhe opozitën, të cilat sipas tij s’duhen parë as si Zot dhe as si djall, pasi secila në vetvetë ka rolin e saj.“Shoqëria shqiptare ka evoluar këto 20 vite, është konsoliduar në koncept nga krijimi i përceptimit, në gjykim më shumë se çdo institucion i shoqërisë. Gjatë fushatës, ditës së votimit, por dhe pas saj qytetarët duhet të kërkojnë nga politika atë që meritojnë ,respektin. Ndjehem optimist dhe e kam të bazuar në një analizë që ngrihet mbi realitetin. Garancia më e madhe sot për imazhin e vendit, shoqërisë shqiptare, skalitjen e kulturës civile është pjekuria dhe sjellja e qytetarit shqiptar. Ndaj jam i bindur se shqiptarët me këtë stad pjekurie që kanë arritur, ku ju keni një meritë jo pak të vogël do të mund të kemi zgjedhje me standard. Secili prej jush e kultivon dhe me sjelljet individuale, komentet. Kemi nevojë të shohim këtë angazhim tuaj dhe mbrojtës të asaj që i takon Shqipërisë dhe shqiptarëve, imazhit normal që kanë. Zgjedhjet prodhojnë mazhoranca dhe minoranca, do thoja që fituesi nuk është Zot dhe as humbësi djalli. Mazhoranca ka përgjegjësitë kryesore të angazhimeve në qeverisje ashtu si minoranca ka përgjegjësinë morale për reagim ndaj çdo problemi dhe padrejtësie ndaj shoqërisë” shtoi ai.“Të konsolidojmë sjelljen e respektit ndaj mekanizmave institucionalë dhe ligjorë. Procesi zgjedhor në Shqipëri ka mundësinë të monitorohet nga instrumenta ligjorë por edhe ndërkombëtarë, si një vlerë e shtuar e kulturës së ligjit, e cila i shërbën asaj çfarë vjen më pas për secilin prej nesh” shtoi më tej Nishani.Përtej zgjedhjeve, Presidenti vlerësoi se vendi ka sfida të shumta, si integrimi në BE, proçes në cilin sipas tij secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta.