Kukës, protestë për ujin, banorët e "Gostilit"nuk furnizohen prej dy javësh

Më shumë se 100 familje të lagjes "Gostil" të Kukësit, kanë dy javë që nuk furnizohen fare me ujë të pijshëm. Për këtë, dhjetra banorë kanë dalë në një protestë paqësore përpara Bashkisë së qytetit, përmes së cilës, kërkojnë furnizim me ujë të pijshëm pasi çdo ditë detyrohen të blejnë ujin.Vetë banorët thonë se e kanë të pamundur që të blejnë ujin, ndërkohë që kanë kërcënuar se do futen edhe në grevë urie nëse nuk zgjidhet përfundimisht çëshjta e furnizimit me ujë.Kreu i bashkisë së qytetit, i njohur me problemin e tyre, ka kërkuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit, dikaster që ka dhënë fondet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit, që të vijë në terren për të ndjekur sesi po bëhen punimet, pasi vetëm kështu mund të evitohen problemet që shfaqen me banorët.Në këto ditë të para të sezonit të verës, i gjithë qyteti i Kukësit po përballet me një kufizim të orarit të furnizimit me ujë, çka ka bërë që shumë prej qytetarëve të vendosin depozitat apo të blejnë edhe pompa kolektive për t'i shpëtuar thatësirës.