Berisha uron homologun italian: Italia partneri kryesor ekonomik e tregtar

Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër urimi Kryeministrit të ri të Italisë, Enrico Letta me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë. Në mesazhin e tij Berisha shpreh bindjen se Italia nën drejtimin e zotit Letta do të vijojë në rrugën e reformave të rëndësishme dhe do të tejkalojë me sukses vështirësitë e shkaktuara nga kriza paneuropiane e globale."Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e marrjes nga ana Juaj të detyrës së lartë të Kryeministrit të Republikës Italiane, t’Ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim përshëndetjet më të përzemërta si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në detyrat e rëndësishme përpara.Jam i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, me vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë që Ju karakterizon, vendi Juaj, mik i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, do të vijojë në rrugën e reformave të rëndësishme dhe do të tejkalojë me sukses vështirësitë e shkaktuara nga kriza paneuropiane e globale duke vijuar në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm, si një ndër ekonomitë më të rëndësishme të planetit dhe të Bashkimit Europian” shpreh Kryeministri.Berisha më tej vlerëson miqësinë e ngushtë e tradicionale ndërmjet të dy popujve, ndërsa shpreh angazhimin e tij dhe qeverisë shqiptare për të forcuar e zgjeruar edhe më tej marrëdhëniet e bashkëpunimin e ngushtë e frytdhënës ndërmjet të dyja vendeve si në kuadrin dypalësh.“Jemi të lumtur sot që konstatojmë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet të dyja vendeve tona, të bazuara në miqësinë e ngushtë e tradicionale ndërmjet të dy popujve. Italia është partneri kryesor ekonomik e tregtar i Shqipërisë dhe unë dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen e çmuar dhe të jashëtzakonshme që vendi Juaj mik i ka dhënë Shqipërisë si në anëtarësimin në NATO, në liberalizimin e vizave për zonën Schengen, ashtu edhe në të gjithë hapat e projektit tonë madhor, integrimit në Bashkimin Europian.Sikundër Ju siguroj për angazhimin tim të plotë dhe të qeverisë shqiptare për të forcuar e zgjeruar edhe më tej marrëdhëniet e bashkëpunimin e ngushtë e frytdhënës ndërmjet të dyja vendeve si në kuadrin dypalësh, ashtu dhe në atë ndërkombëtar, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë miq, paqes e bashkëpunimit në rajon e më gjerë, si dhe integrimit europian të Shqipërisë e rajonit të Europës Juglindore” përfundon Berisha mesazhin e tij të urimit për homologun italian.Të hënën Qeveria e Enrico Letta mori besimin në Dhomën e Deputetëve me 453 pro, 153 kundër dhe 17 abstenime. Të pranishëm në sallë ishin 623 deputetë, ndërsa votuan 606, shumica e kërkuar ishte 304 vota.Kreu i ri i qeverisë Enrico Letta ndërkohë ka paraqitur edhe programin e tij. Në axhendën e tij renditet punësimi, reformat, rritja ekonomike dhe rinia.Të martën më 30 prill Letta do të udhëtojë drejt Berlinit ku do të takohet me koncelaren Angela Merkel, ndërsa të enjten e ardhme ai do të shkojë në Bruksel ku pritet të takojë Presidentin e Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso.