Rama shfryn “dufin” ndaj Spahiut: Një sorrë në qiellin e opozitës
Vetëm pak orë pas qëndrimit zyrtar të AK së Kreshnik Spahiut për të garuar i vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit, Kryesocialisti Edi Rama ka shfryrë dufin ndaj kreut të kuqezinjve, duke e vlerësuar edhe një herë një sorrë të pushtetit për të çoroditur popullin opozitar. Në një reagim të tij në rrjetin social facebook Rama shprehet se Kreshniku i nacionalizmës u shfaq si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin.“Fatkeqësisht dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës eshte shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin! Çfarë turpi ky i shpërdorimit të simbolit kuqezi për të fryrë një komerdare shpëtimi për pushtetin e korrupsionit që medemek po lufton, duke tërhequr prej hunde njerëz të ndershëm e te lodhur nga politika e nga partitë aktuale! Çfarë pështirosje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota AK duhet të merrte një portofol ministror! Çfarë talljeje me idealet e me aspiratat e Myslym Pashait e të Pellumb Xhufit që e kanë mbështetur me zemër këtë farsë të Saliut, i gjithë ky sharlatanizëm spektakolar!” shprehet Rama.Shkurt fjala, shton më tej Kryesocialisti, “Aleanca Kuqezi të dashur miq s’qenkej gjë tjetër përveçse grahma e fundit e Saliut dora vetë. Ndërsa vetë Kreshniku xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut”.Më herët lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu bëri të ditur vendimin e kuqezinjve për të hyrë të vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një konferencë për shtyp, Spahiu shpjegoi arsyet që i shtynë kuqezinjtë të mos i bashkohen aleancës opozitare "Për Shqipërinë Europiane", duke theksuar si pengesë kryesore marrëveshjen e PS-së me PBDNJ-në e Vangjel Dules.Sipas Spahiut, AK synon të maksimalizojë votat për rrëzimin e kryeministrit Berisha, por nuk mund të tradhtojë kauzën e saj për bashkimin kombëtar.Më tej kryetari i AK-së nënvizoi se gjatë negociatave me PS-në nuk ishte arritur marrëveshja për disa nga pikat, me të cilat Aleanca Kuq e Zi kishte kushtëzuar përfshirjen e saj në koalicionet parazgjedhore.