Votimi i emigrantëve, Milo: Shashkë elektorale e Berishës, nuk ka kohë

Një shashkë elektorale për të nxitur debate. Kështu e ka vlerësuar kreu i PDS, Paskal Milo propozimin e e Kryeministrit Berisha adresuar kryesocialistit Edi Rama për tu mundësuar emigrantëve të drejtën e votës në 23 qershor. I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Milo tha se një proces i tillë është i pamundur për tu realizuar në një kohë që na ndajnë vetëm dy muaj nga zgjedhjet, madje ai u shpreh se edhe vetë Kryeministri se beson atë cfarë deklaron.“Përse u kujtua tani kaq vonë Berisha për emigrantët, kishte kaq shumë kohë që po të kishte dëshirë do ta kishte zgjidhur këtë pjesë, është pjesë e lojës së tij politike, mendon se mund të marrë disa vota nga emigrantët. Është vonë, qytetarët shqiptarë që banojnë në vendet e huaja e kuptojnë që s’mund të behen në kaq pak kohë, duhet insfrastruktuara e duhur, është e pamundur. Ne dështuam me provën për numërimin elektronik në qarkun e Fierit, u pranua dështimi. Si është e mundur të organizosh një votim të emigrantëve brenda 2 muajve. Ai vetë nuk e beson se mund ta realizojë, e ka bërë për të hedhur një shashkë për diskutime” tha ai.

Teksa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve gjendet në udhëkryq dhe palët mbeten të palëkundura  në qëndrimet e tyre, Milo është optimist që zgjidhja do vijë momentin e fundit. Këtë konkluzion ai e argumenton me natyrën e Kryeministrit për ti zhvendosur gjithmonë gjerat drejt ekstremit dhe KQZ sipas tij është fija e fundit ku Berisha po mbahet para se të prekë greminën e humbjes me 23 qershor.

“Berisha po e kupton qartë se është duke humbur, kërkon të mos dorëzohet, po bën rolin e të fortit. është në natyrën e tij që i con gjërat deri në ekstrem, sic i ka cuar shumë herë në këtë histori 23 vjecare të tranzicionit në vend. Po na riciklohen skenat dhe përvojat negative të acarimit të marrëdhënieve me SHBA si në ’96. Po përpiqet të manipulojë, instrumentalizojë zgjedhjet, po përpiqet të dalë sa më pak i humbur, të marrë cfarë mund të marrë në këto rrethana që mos të dalë jashtë skenës politike pas humbjes. Besoj se do zgjidhet në momentin e fundit, Berisha do luajë me letrat e vjetra, i ka konsumuar të gjitha. Ai kërkon të luajë me grushtin e hekurt, por e ka të humbur betejën” deklaroi Milo.

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Parkal Milo ka zbuluar disa detaje të marrëveshjes parazgjedhore me Partinë Socialiste të firmosur mbrëmjen e së martës  në selinë rozë, ku deklaroi se pjesë e paktit është  përfshirja e PDS në kabinetin qeveritar në rastin e fitores së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në 23 qershor. Milo gjithashtu  sqaroi se nuk ka pranuar kushtin e pjesëmarrjes në lista, apo atë të shkrirjes së PDS me PS, gjë që sipas tij, çoi  edhe në vonesën e firmosjes së marrëveshjes.

“Atmosfera përgjithësisht ka qenë mirëkuptuese. Në takimin e madh që u bë para një jave të gjitha partitë pjesmarrëse pranuan dhe firmosën për koalicionin. U deshën takime të vecanta me dy tre parti të tjera, si me PDSpër marrëveshje dypalëshe.  Marrëveshja u la në minutata e fundit jo se kishte vështirësi, ishin axhendat shumë të ngjeshura. Ka pasur dhe propozime dhe kundërpropozime, edhe mosmarrëveshje gjithsesi arritëm një marrëveshje të mirë që besoj se do na cojë në fitore. Qartësuam termat e bashkëpunimit elektoral dhe bashkëqeverisjes pas fitores. Lidhur me termat e bashkëpunimit elektoral, unë nuk pranova propozimin e PS të futem në listat e saj dhe të shkrihet PDS, smund ta bëja, ishte e kondicionuar me humbjen e sovranitetit të partisë, do ishte dhe një mesazh shumë i dëmshëm për elektoratin tonë. në pikat e tjera ramë dakord, të kemi një bashkëpunim për të punuar bashkë, për të mbështetur njëri-tjetrin  gjatë fushatës, për të patur qëndrime të përbashkëta. Do të kordinojmë mbrojtjen bashkarisht të votës, opozita shqiptare ka vuajtur shumë nga manipulimi i votës. PS ka garantuar të gjithë aleatët se do tu mbrojë votën. PDS në marrëveshjen me PS ka fituar të drejtën që në një numër qarqesh do të ketë vëzhgues në cdo tavolinë që do numërohen votat.  Sa i përket bashkëqeverisjes, kemi arritur një marrëveshje për të qeverisur së bashku në nivele që do të varen nga rezultati në zgjedhje. Pra jemi të bindur që në qeverisje do mund të mbajmë poste ministrore” tha më tej ai.

I pyetur nga gazetarja Jonida Shehu nëse janë shumë 40 parti, të gjitha të grupuara në koalicionin e majtë, Milo tha se është kodi ai që e dikton një skemë të tillë, ndërsa shtoi se të gjitha në total përllogaritet të sjellin rreth 100 000 vota, e përkthyer në 9 mandate deputetësh e që automatisht bëjnë realisht diferencën.

“40 parti shumë janë por këtë e kërkon kodi, e që unë s’jam dakord me të. Është si punë e thesit që mbushet. Llogaritet që këto parti do sjellin me një mesatare rreth 100 000 vota dhe sjanë pak. Pavarësisht se duken kështu me emra që si mban mend, por aq vota janë 9 deputetë dhe këto bëjnë diferencën.Nëse do kishim sistem proporcional kombëtar sdo të kishte nevojë fare të kishim një s’kemë të tillë” sqaroi kreu i PDS-së.

E ndërsa negociatat e PS për të tërhequr pas vetes AK dështuan, Paskal Milo shprehet se Spahiu duhet të kishte përcaktuar herët qëndrimin e tij për të mos e lënë në momentin e fundit. Nëse dalja e vetme në garë e AK do thithë vota nga opozita, ai tha se trysnia e fushatës do ta bëjë atë të kufizuar në veprime dhe elektorat.

“E kam takuar zotin Spahiu,  kam biseduar me të  edhe me idenë për të pasur një pol të tretë brenda termave të një opozitarizmi ose për të shkuar të gjithë së bashku. AK ka zhvilluar bisedime intensive me PS, më erdhi keq që su gjet kompromisi, por vullnetet politike vjen një moment që ndahen. Mendoj që padyshim nëse AK do ishte pjesë e koalicionit tonë do shtoheshin votat, por ka dhe një kufi, nëse krijojmë balancat e duhura. Nëse kërkesat janë përtej pritshmërisë që ka për një parti politike bëhen faktorë që gjenerojnë kriza dhe ngërce. AK duhet të kishte pasur me kohë një vendimarrje të qartë dhe të pastër, s’duhet ta linte për momentin e fundit. Si parti pati një nisje të mirë por erdhi duke gabuar, humbi origjinalitetin e saj. Ka një opozitarizëm ekstrem, ka një nacionalizëm që shpërtheu dhe u tulak. Kjo bëri që AK të dalë si forcë politike më vete, por trysnia e fushatës do ta bëjë atë të kufizuar në veprime dhe elektorat. Me koalicionet e mëdha kushdo që qëndron në mes duhet të matet mirë, aq më tepër e vetme” deklaroi në RTV Ora News Paskal Milo.