Berisha: Të rinjtë çelsi i fitores në 23 qershor, do ndëshkojnë me votë Ramën
Duke e bërë sërish përgjegjës rivalin e tij politik për bllokim te integrimit të vendit, Kryeministri Berisha shpreh besimin e plotë se të rinjtë do ti japin përgjigjen e merituar në 23 qershor. Në një bashkëbisedim me pedagogë të Universitetit të Tiranës, Berisha e konsideroi votën e të rinjve si çelësin e fitores në zgjedhjet e 23 qershorit.“Ne jemi fatlumë që në çdo zgjedhje së paku 200 mijë të rinj fitojnë të drejtën e votës. Të rinjtë nuk e njohin diktaturën komuniste dhe nuk i këshilloj fare të lodhen që të bëjnë studime të thelluara mbi të, po sigurisht njohuritë kryesore i kanë dhe ata nuk mund të pranojnë mbrojtjen që PS i bën asaj të shkuare. Çdo i ri që interesohet për proceset integruese do të gjejë se PD është ajo që anëtarësoi vendin NATO, mori liberalizimin e vizave, mori propozimin për status, por u bllokua në mënyrën më të papranueshme me bllokimin e 3 ligjeve. Vendit nuk mund t’i nxjerrësh mur përpara, është jashtë çdo koncepti. Një njeri që ka minimumin e atdhetarizmit s’mund ta bënte kurrë një gjë të tillë”- deklaroi kryeministri.Lidershipi i mazhorancës edhe në këtë takim nuk ka kursyer ironinë ndaj aleancës PS-LSI, ku deklaroi se ky koalicion u ngjiz nga një kontrabandist.“Në marrëdhëniet e të majtëve me njëri-tjetrin në Shqipëri, mirë bëjnë aleancë, por të marrin për nun një kontrabandist... Po nuk gjen një kumbar tjetër përveç kumbarës së Durrësit. Kjo sigurisht për të rinjtë është shokuese. Të gjitha historitë që tregohen janë 100% të vërteta. Janë të gjithë këta faktorë që bëjnë që të rinjtë shqiptarë të kenë me të drejtë një besim më të madh tek Partia Demokratike”- tha Berisha.Më tej Kryeministri theksoi rëndësinë që të gjithë të rinjtë të marrin pjesë në votime, duke kërkuar angazhimim maksimal të pedagogëve për t’i nxitur studentët që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor.