Berisha me biznesmenët e rinj: Do t’ju ndihmojmë me kreditimin

Një program të qartë për mbështetjen e inisiativës së lirë, në mënyrë të veçantë tek të rinjtë. Ky ka qenë angazhimi i ndërmarrë nga Kryeministri Sali Berisha, ndërsa zhvilloi një bashkëbisedim me një grup biznesmenësh të rinj. Duke iu referuar granteve të dhëna nga qeveria në mbështetje të zhvillimit të zonave rurale, Berisha garantoi se nuk do të mungojë mbëshetja edhe për zonat urbane. Ai shprehu vendosmërinë e qeverisë për të krijuar edhe një sistem mikrokreditimi, në të cilin sipas tij, përparësi do kenë të rinjtë.“Jam sot këtu që të diskutojmë sesi të nxisim më shumë të rinjtë, si ti mbështesim më shumë në iniciativën e tyre të lirë. Së pari është cështje guximi dhe të rinjtë e kanë këtë, është cështje imagjinate dhe të rinjtë e kanë. Cfarë duhet të bëjmë ne që të rritet në të gjitha fushat pesha specifike e të rinjve në iniciativën e lirë. Fillesat janë të mira në Shqipëri, në fushën e inovacionit psh, po kështu në Universitet ka një lëvizje për projekte dhe konkurse të cilat janë shumë të dobishme. Ne duhet të kemi një program të qartë, të mirëpërcaktuar për të mbështetur inisiativën e lirë të të rinjve. Ne kemi mbështetur 42 mijë projekte në zonat rurale, por duhet të mbështesim edhe ato urbane, ku edhe për këto kemi projekte. Qeveria do përcaktojë fonde për mbështetjen e projekteve të të rinjve, qeveria është e vendosur të zhvillojë një sistem mikrokreditimi, ku të parët që do përfitojnë do jenë të rinjtë. Në axhendën tone nxitja , inkurajimi i potencialeve të jashtëzakonshme që kanë të rinjtë përbën një nga përparësitë kryesore tonat. Sikundër në fushat e tjera, mendimet dhe sugjerimet do trupëzohen në programin tonë për 4 vitet e ardhshme”u shpreh Berisha.Ndërsa premtoi lehtësira për sipërmarrësit dhe investitorët vendas dhe të huaj, Kryeministri nuk ka hezituar edhe njëherë të japë argumentet kundër ofertës së rivalit të tij politik për aplikim të taksës progresive në vend. Duke iu referuar masave antikrizë të ndërmarra nga qeveria, Berisha tha se efektin pritet të fillojnë ta japin pjesërisht në 3 mujorin e katërt të vitit, ndërsa ndikim të plotë në 2014.“Ai flet për rritje taksash. Është e lehtë ti rritësh, por kjo do të thotë dekurajim të investitorëve dhe shurtim të vendeve të punës. Kemi shpallur platformën tonë për ta shndërruar këtë vend në tërheqës për investitorët. Është bërë shumë në këtë drejtim. Kapaciteti i Shqipërisë është për 2 miliard dollarë, nga 1 miliard që janë aktualisht. Duhet të bëjmë gjithcka për suksesin e tyre. Ne ia dolëm, sic e dini, që ekonomia shqiptare të mos bjerë në recesion, reformat ishin mburojë nga kriza, taksa e sheshtë një nga faktorët kryesorë. Mirpo kriza do vazhdojë. Europa do ta kapërcejë, por do duhet kohë. Do bëjmë gjithcka që ti japim një shtytje të re rritjes ekonomike të Shqipërisë. Viti më i vështirë ishte 2012, këtë vit ka një kthesë, por masat që morëm për heqjen e TVSH për makineritë, heqjen e tatim fitimit për pagat nën 30 000 lekë. Gjatë 3 mujorit të katërt do fillojë efekti pozitiv i këtyre masave, vitin e ardhshëm do japë efektin e plotë”tha Kryeministri.Shqetësimit të shprehur për mungesën e një burse kombëtare shqiptare në vend, Kryeministri iu përgjigj se kanë ekzistuar arye komplekse që nuk e kanë favorizuar krijimin e saj, por vlerësoi se absolutisht do të ishte në interesin më të mirë të biznesit.“ Me gjithë përpjekjet e bëra s’mund të them se kemi regjistruar një histori suksesi. Ne do ta mbështesim plotësisht. Për fat të keq për asye komplekse nuk i favorizuan institucionet kombëtare, kemi më së shumti bursa rajonale. Ka një hezitim nga bizneset, janë bërë përpjekje të afishohen edhe në bursat e tjera por s’janë kurorëzuar me sukses. Jam i bindur se biznesi ka interesin më të mirë të afishimit në bursë. Është dëshmi e vullnetit për të bërë transparencën e pasurisë që ke. Ne do ta mbështesim projektin tuaj” përfundoi Berisha.