Dule i bashkohet koalicionit “Aleanca për Shqipërinë europiane”

Partia Socialiste ka nënshkruar sot marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ndërsa është bërë publike edhe emri i koalicionit që do të jetë “Aleanca për Shqipërinë evropiane”.Në një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryesocialisti Rama theksoi se bashkëpunimi me PBDNJ-it është i një vizioni për një Shqipëri europiane."Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin, bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie, që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane e integruar në Bashkimin Europian. Në raportet tona me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut flet historia e afërt dhe më e largët, flet tradita e një miqësie të mirë, e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënieje të mirë të mbështetur në respektin reciprok. Unë jam sot shumë i kënaqur që me mikun tim, me kolegun Vangjel Dule, me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kemi dakordësuar që të hyjmë së bashku në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane" tha Rama duke shtuar se zgjerimi i koalicionit do të vijojë.Nga ana e tij kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule vlerësoi bashkëpunimin ndër vite me Partinë Socialiste ndërsa shtoi se koalicioni opozitar do të bëjë të mundur rotacionin politik në 23 qershor.“Jemi sot në konkludim të bisedimeve për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka filluar rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt. E njohim mirë njëri tjetrin si forca politike, njohim mirë pikat që na bashkojnë, sikurse edhe vështirësitë që mund të kemi pasur në të shkuarën. Pas 4 vitesh opozite me vizion, me objektiva të qarta, është momenti më kulmor që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët të realizohet rotacioni i shumëdëshiruar. Një rotacion jo për hir të rotacionit, jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e  këtij objektivi madhor” tha Dule.