Arsyet për të larguar Berishën,PS: Gjatë qeverisjes së tij u rritën aksidentet
Partia Socialiste ka vijuar edhe sot me aksion politik "100 arsyet për të larguar Berishën" duke paraqitur edhe disa nga dështimet sipas saj të kryeministrit gjatë qeverisjes së vendit.Deputetja e PS-së Ermonela Felaj theksoi në një konferencë për shtyp se dështimi më i madh i kryeministrit është siguria rrugore.Një ndër dështimet më të rënda të tij, me pasoja fatale për jetët e shqiptarëve, ka qenë dështimi me sigurinë rrugore. Rrugët e Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë më të pasigurta e më të përgjakura se sa gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Ditë për ditë shohim sesi shteti është dorëzuar turpësisht para bilanceve tragjike me aksidentet rrugore. Qeveria e ka humbur betejën për të ulur numrin skandaloz të aksidenteve dhe shkaqet e tyre. Në programin e tij Berisha premtoi investime në sinjalistikën rrugore dhe të menaxhimit të transporteve, por mashtroi dhe sot jetojmë situatën më të rëndë që ka pasur ndonjëherë vendi lidhur me sigurinë rrugore. Sot Shqipëria ka katër herë më pak automjete për 100 mijë banorë sesa të gjitha vendet e Bashkimit Europian edhe të rajonit dhe katër herë më shumë aksidente për 100 mijë banorë” tha Felaj.Sipas saj edhe pse qeveria ka ngriturKomitetin Ndërministror për Sigurinë Rrugore, që kryesohet nga Kryeministri, në tetë vjet ky komitet është mbledhur vetëm një herë, në vitin 2006, dhe ndërkohë, sipas statistikave, çdo ditë një shqiptar vdes në rrugë dhe tre të tjerë plagosen.“Sot në vitin 2013 Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve europiane, siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ose që janë kandidate për në Bashkimin Europian. Rrugët e Shqipërisë, nuk kanë as elementet më minimale të sigurisë. Në programin për mirëmbajtjen e rrugëve të të gjithë Shqipërisë qeveria e dështuar e Berishës ka vendosur vetëm 13 milionë dollarë, 1.3 milionë dollarë për gjithë veriun dhe 9 mijë dollarë për Rrugën e Kombit, ku sigurisht ka një element të pandashëm, që është dëbora dhe vetëm për shkak të dëborës, mos të llogarisim asgjë tjetër, fondi i mirëmbajtjes duhet të jetë shumë i lartë” shtoi Felaj.Deputetja Felaj ka theksuar më tej se kur PS-ja të vijë në pushtet do të investojë shumë fuqimisht në sigurinë rrugore.“Ajo që ne do bëjmë është ngritja e një Qendre Kombëtare të Kontrollit të Trafikut Rrugor, siç e ka gjithë bota. Në sistemin arsimor shqiptar, publik apo jo publik, do të ketë një program siç e ka gjithë Europa, të përshkallëzuar nga klasa e parë deri në shkollën e mesme, për edukimin rrugor. Ndërkohë që rrjetin kombëtar bazë do ta ripërtërijmë krejtësisht në të gjithë Shqipërinë. Me masat që do marrim në dy vitet e para do ta zvogëlojmë me 20% dhe në mandatin e parë ta përgjysmojmë numrin e vdekjeve për shkak të rrugës në Shqipëri” shtoi Felaj.