Bumçi reagon kundër Ramës: I vetmi lider opozite që pengon integrimin
Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ka reaguar sot lidhur me projektin politik të prezantuar sot nga kryesocialisti Edi Rama për diplomacinë. Në një deklaratë për mediat Bumçi e vlerësoi të pakonceptueshme sesi Rama ende vazhdon të tregojë përralla, në një kohë që ishte vetë ai që blloi ëndrrën europiane të shqiptarëve.“Sot Edi Rama na shfaqi vizionin e tij për politikën e jashtme të vendit. Dhe sot, zoti Rama paraqiti të tjera shpikje nga selia ‘mavi’, sikur ai do të mbështesë anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin në BE. Z. Rama, i vlerësojmë fjalët e bukura, por më bukur flasin veprat. Por, zoti Rama, a e di ti, se ti je i vetmi kryetar opozite i një vendi tashmë anëtar të NATO-s, ku të ankoroi kjo qeveri, që pengon integrimin e vendit në BE? A di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët? A e di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka anatemuar dhe përbaltur ‘Rrugën e Kombit”? Dhe sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat” tha Bumçi.Duke iu referuar deklaratave të kreut të PS-së për qasjen e tij politike e diplomatike për një fqinjësi të mirë me shtetin e dytë shqiptar, Kosovën, Ministri i Jashtëm tha se shqiptarët andej dhe ktej kufirit janë një komb dhe një gjak, nuk u duhet vizioni i Kryesocialistit për të ecur përpara.“Sot, Rama na tregoi qartazi se ai ndihet i kompleksuar. Na sqaroi se ai ndihet i paragjykuar në Kosovë. Ndoshta z. Rama paragjykohet sot në Kosove prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionin ndaj institucioneve demokratike. Ndoshta, ai paragjykohet për bllokimin që i bën integrimin Europian të vendit. Ndoshta ai paragjykohet sot, pasi del dhe me deklarata për "miqësi të mirë" me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këndej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë sesa “miqësia e re” që dashka të na ndërtojë z. Rama”shtoi ai.Ministri Bumci ka garantuar se mazhoranca do të bëjë gjithcka për të garantuar ëndrrën e integrimit në Bashkimin Europian ashtu sic realizoi anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave.“Meqë zoti Rama zgjedh të kundërshtojë e anatemojë këto angazhime, le të mos ia vëmë atij veshim, por të ecim së bashku përpara” përfundoi Bumçi.Partia Socialiste ka prezantuar sot projektin politik "Shqipëria Europiane në Rajon dhe Botë". Në fjalën e tij, kreu i PS-së Edi Rama u shpreh se duhet një politikë vizionare për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian."Pas 23 qershorit, ne duam ta përcaktojmë si pjesë të pandashme të sjelljes sonë politike forcimin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe njësimin e fjalëve me veprat kur bëhet fjalë për vlerat që promovojnë partnerët tanë strategjikë, BE dhe SHBA dhe këto janë anë të një medalje. Janë anë të një medaljeje të besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk mund të mbetemi tek politika e predikimeve duke bërë të papërmbushur politikën e jetësimit të fjalëve në vepra” tha Rama.Rama premtoi një sjellje të re në politikën e jashtme të Shqipërisë në mënyrë që diplomacia shqiptare të bëjë më shumë për njohjen e Kosovës.