Berisha nuk lëshon pe për KQZ: Pretendimet e Ramës qesharake, kodi e përcakton qartë

Përkundër një kërkesë të përsëritur për reflektim nga opozita e bashkuar, Kryeministri Berisha nuk parashikon kthim prapa për KQZ. Në mbledhjen e kryesisë së PD mbrëmjen e së shtunës kreu i selisë blu u tregua i prerë me rivalin e tij politik, ku deklaroi se kodi zgjedhor e përcakton qartë përbërjen pozitë-opozitë, duke lënë të kuptohet se nuk do këtë asnjë negociatë në tavolinë, përkundër detyrimit të palës tjetër të sjellë dy kandidaturat për vakancën e krijuar pas tërheqjes së dy anëtarëve të KQZ.“Më duhet t’ju them se koncepti i zotit Rama se meqenëse një parti e koalicionit qeveritar kalon në anën e opozitës, mendimi i tij se tani është edhe opozitë edhe qeveri, është thjesht marrëzi. Kushtetuta e vendit e ka te përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë. Në të gjitha ligjet e vendit balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë midis qeverisë dhe opozitës” tha Berisha.Në këtë kontekst, ndërsa akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama se po përdor KQZ-në si objekt bllokimi, ai e siguroi se ai dhe qeveria e tij mbeten të angazhuar vetëm për një gjë, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.“Rama kërkoi të shtyjë zgjedhjet, nuk do shtyhen asnjë ditë. Rama vuan nga sindroma e kleoptomanisë. Ajo që kërkon është qesharake. Ramës i duket sikur cdo gjë po i vidhet. Ne garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme” deklaroi Kryeministri.Numri një i mazhorancës nuk ka kursyer ironinë edhe për ish aleatin e tij bashkëqevrisës, Ilir Meta , lidhur me deklaratat e tij për rrotacion politik, ku sipas tij kreu i LSI e kreu misionin e tij për rrotacion me kalimin në opozitë. Ndërkaq ai akuzoi edhe kryesocialistin Edi Rama për mospërmbajtje të fjalës së dhënë zotit. Meta për votimin e tre ligjeve.“Zoti. Rama edhe një fjalë që ia kishte dhënë aleatit tij të ri, që flet për rrotacion, Meta e bëri rrotacionin ne do vazhdojmë. I dha fjalën se do votojë tre ligjet, ato janë në sirtar. Ai e ka në natyrën e tij, nuk do. Pra nuk ka forcë politike të djathtë, të qëndrës, qëndrës së djathtë që mund ti lejojë vetes të hezitojë qoftë dhe një moment për të mos përmbushur qoftë dhe një detyrim që rrjedh nga vokacioni perëndimor ndërkombëtar” tha më tej Berisha.Duke iu referuar pikërisht ëndrrës europiane të munguar, Kryeministri Berisha deklaroi përpara anëtarëve të Kryesisë se duhet të bashkohen për të shkuar drejt objektivit më madhor të kësaj partie, integrimit europian të vendit. Në funksion të fitores dhe arritjes së qëllimit të përbashkët ai paralajmëroi koalicionin më të gjerë që ka pasur ndonjëherë PD.“Duhet të bashkohemi dhe të shkojmë drejt objektivit më madhor, integrimit europian të vendit. Ky koalicion do jetë koalicioni i të djathtës së bashkuar dhe qëndrës. Të gjitha partitë e spektrit politik të djathtë, të qëndrës së djathtë dhe qëndrës grupohen dhe do grupohen këto ditë me PD. Në dallim nga 2009 koalicionit tonë i shtohen një numër forcash politike të qëndrës dhe të djathtës” u shpreh Kreu i mazhorancës.Në vijim Berisha njohu Kryesinë me turin e bashkëbisedimeve me grupet e ndryshme të interesit, duke i cilësuar këto takime si shumë të frytshme dhe efektive për krijimin e një programi elektoral sa më konkurues.“PD këtë vit ka ndërmarrë një fushatë elektorale të një stili terësisht të vecantë, të papërdorur më parë, bashkëbisedimiN me qytetarët për të gjitha problemet elektorale të PD dhe gjithashtu të tyre. Kurrë ndonjëherë programi elektoral i PD nuk është pasuruar me mendimet më të mira për grupet e interesit për këtë program, ekspertëve, por dhe njerëzve direkt të intersuar për të që kanë bërë qindra propozime të cmuara , të cilat kanë imponuar ndryshimin e parashikimit programor deri dhe në ndryshime ligjesh të caktuara në mënyrë që cdo gjë të adresohet në interesin më të mirë të qytetarëve. Kanë qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme ku synohet të dëgjohet, vilet mendimi më i mirë për cdo fushë, mbi bazën e atyre që janë arritur dhe atyre që do bëjmë, sepse do bëjmë shumë më tepër. Është arritur që gjithë programi ekonomik i PD të provohet se ka një qëllim final, punësimin e qytetarëve shqiptarë. Për këtë ne patëm fat të përpunojmë një seri masash, ligjesh vendimesh, projektesh, të cilat prekin cdo qelizë dhe cdo aspect të veprimtarisë së biznesit, krahut të punës, rezervave natyrore me qëllim rritjen ekonomike, punësimin e qytetarëve. Arritjet e deritanishmë kanë nevojë të domosdoshme të kenë një shtytje më të madhe. Kriza në vendet përreth do vazhdojë, Shqipëria nuk ra në krizë, u konfirmua edhe nga raporti i KE, por ndjeu pasojat. Ne do shkëpusim sa më shumë vendin nga ndikimi i saj, ti kundërvihemi sa më fuqishëm” tha ai.

Në përfundim të mbledhjes Kryesia e PD-së vendosi krijimin e nje grupi negociator për formimin e koalicionit zgjedhor, nen kryesimin e  kryetarit te Partisë Demokratike, kryeministri Berisha,  me pjesmarrjen e Ridvan Bodes dhe Oerd Bylykbashit.